Ky është populli më i varfër në BE

3 muaj më parë

Ky është populli më i varfër në BE

Instituti i Bashkimit Evropian të Tregtisë ka publikuar një raport krahasues mbi punën në BE në 2018, duke u fokusuar në nivelin e pagave gjatë 10 vjetëve të fundit.

Bazuar në të dhënat e raportit, Bullgaria mban rekordin në rritjen reale të pagave mesatare për periudhën 2009-2018, pothuajse 90 për qind.

E dyta renditet Rumania me 34 për qind, dhe Polonia në vend të tretë, me 30 për qind. Në disa vende, norma e rritjes është zero, ndërsa në disa të tjera, ajo ka një tendencë drejt rënies së pagave, si për shembull në Greqi apo në Spanjë, transmeton “monitor”.

Rritja e nivelit të pagave në mënyrë të qëndrueshme në këtë vend është një lajm shumë i mirë, të cilin Konfederata e Sindikatave të Pavarura në Bullgari e vuri në dukje në një konferencë të organizuar në Sofje.

Konferenca, e quajtur “Shtylla evropiane e të drejtave sociale, një shtyllë e së ardhmes së Evropës”, u zhvillua vetëm një muaj përpara forumit të sindikatave evropiane. Megjithatë, lajmi i mirë që të ardhurat janë të qëndrueshme nuk është arsye për t’u gëzuar jashtë mase, sepse ky vend ka gjithashtu një numër të lartë problemesh të tjera, përcjell albinfo.ch.

Një prej problemeve në këtë drejtim është: Me sa para mbeten bullgarët në fund të muajit në xhepat e tyre? Duke pasur parasysh rritjen e çmimeve, taksat e larta dhe mjedisin e punës të degraduar, bullgarët janë ende ndër më të varfrit nga të gjithë njerëzit që punojnë në Evropë.

“Rritja ekonomike pa rritjen e pagave krijon bindjen në Bashkimin Evropian si bashkim shtetesh në rrezik të madh”, shprehet Lyuben Tomev, drejtor i Institutit për Studime Shoqërore dhe të Sindikatave në Konfederatën e Sindikatave të Pavarura në Bullgari.

Shifrat tregojnë se në 15 vende ka një ndryshim negativ. Atje, produktiviteti i punës e tejkalon normën e rritjes së pagës mesatare dhe Finlanda, Lituania, Spanja dhe Kroacia janë në mesin e këtyre vendeve. Por në 11 vende të tjera, pagat reale tejkalojnë rritjen e produktivitetit të punës.

Në këtë drejtim, Bullgaria është ndër vendet kryesore me një diferencë të afërt prej 60 për qind. Karakteri i punësimit në këtë vend është përkeqësuar gjatë viteve të fundit, duke rritur numrin e njerëzve të dekurajuar nga tregu i punës dhe një numër në rritje të vendeve të punës pa mbrojtjen e sindikatave. Shtylla evropiane e të drejtave sociale mbart një angazhim për një pagë minimale adekuate që do të thotë se nuk do të ketë “punëtorë të varfër”.

Në vitin 2017 rreth 39 për qind e bullgarëve ishin shumë pranë nivelit ekstrem të varfërisë, ndërsa mesatarja për BE-në ishte pak më shumë se 22 për qind. Konfederata e Sindikatave të Pavarura në Bullgari ka kërkuar nga qeveria një rritje të të ardhurave prej 11-15 për qind gjatë katër viteve të ardhshme për të gjithë punëtorët bullgarë. Kjo do të thotë që nga 1 janari i vitit të ardhshëm paga minimale mujore duhet të jetë 650 Leva.

Konfederata po propozon një pagë mujore fillestare prej 1,000 Leva për të gjithë njerëzit me diploma universitare në Bullgari deri në vitin 2020.

Nëse arrihet një gjë e tillë, atëherë brenda 4 vjetëve të ardhshme paga mesatare mujore në vend mund të shkojnë afër 1,000 eurove. Dhe shumë bullgarë që kanë zgjedhur të punojnë në emigrim mund ta konsiderojnë faktin e të kthyerit në atdhe.