Kushtet mizerie në Fakultetin e Filologjisë në UP, alarmon profesori

4 vite më parë

Kushtet mizerie në Fakultetin e Filologjisë në UP, alarmon profesori

Gjendja në sallat e punës të Fakulteti të Filologjisë po konsiderohet e mjerueshme për shkak të mungesës së kushteve elementare si për studentët ashtu edhe për stafin akademik të këtij fakulteti.

Profesori i Degës së Gazetarisë në këtë fakultet, Milazim Krasniqi ka shprehur shqetësim për kushtet në të cilat po punohet në këtë degë, përcjellë AktivPress.

Ai përmes Facebook-ut ka bërë me dije se puna është shumë e rëndë, pasi temperature brenda sallave po shënon 30 gradë, duke e ilustruar shkrimin edhe me një fotografi nga ambienti i tij i punës.

“Në Fakultetin e Filologjisë të UP, dimrit nuk ka nxemje, verës nuk ka fresk, sallat nuk kanë zërim, dyert e dritaret nuk mbyllen, bërllogu hiqet nga sallat një herë në javë. Puna e mësimdhënësve dhe e studentëve në këso kushtesh është shumë e rëndë”, ka shkruar Krasniqit.

Gjuha e tij ka qenë më e ashpër në lidhje me gjendjen e përgjithshme të Universitetit të Prishtinës, pasi sipas tij, UP-ja është bërë leckë nga udhëheqësit politik dhe civil.

“Ata që e kanë degraduar UP-në kështu, e kanë arritur një sukses të madh: e kanë eliminuar ndikimin e tij nga jeta politike ekonomike e shoqërore. Duke instaluar edhe menaxherë pa kredenciale intelektuale e pa dinjitet, gjendjen e kanë bërë të pashpresë. Duke ia lëshuar në qafë edhe mediet dhe paramilitarët e shoqërisë civile, UP-në e kanë bërë leckë”, thotë Krasniqi.

Sipas profesorit universitar, Fakultetin e Filologjisë, që është ADN-ja e UP-së, thjesht e kanë sjellë para mbylljes. “Tamam ashtu si kanë qejf armiqtë tanë!”, shprehet Krasniqi.

Për t’iu përgjigjur këtyre, problemeve ai ka kërkuar llogari nga rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Marjan Dema./AktivPress