Kush janë Tokarczuk e Handke, fituesit e Nobelit për Letërsi?

1 javë më parë

Kush janë Tokarczuk e Handke, fituesit e Nobelit për Letërsi?

Vitin e kaluar nuk u nda çmimi Nobel për Letërsi pas skandaleve seksuale, korruptive dhe të konfliktit të interesit që prekën akademinë suedeze.

Mirëpo, sivjet për vitin 2018 u shpërblye autorja polake, Olga Tokarczuk, ndërkaq për 2019, austriaku i letrave, Peter Handke.

Anëtarët e akademisë dhanë si arsye “imagjinatën rrëfyese me një pasion enciklopedik që përfaqëson kryqëzimin e kufijve si formë të jetës” për shpërblimin që ia dhanë Tokarczuk-ut.

Në anën tjetër, Handke-n e shpërblyen për “punën me ndikim që me zgjuarsinë gjuhësore e ka eksploruar periferinë dhe specifikimin e përjetimit njerëzor”.

57 vjeçarja e lindur në qytezën polake Sulechow njihet për romanet e saj si “Fluturimet”, “Dorëshkrimet e Jakobit”  “Grah plugun mbi eshtrat e të vdekurve”.

Në këtë fundit, dozat e feminizmit, komedisë dhe misterit e bëjnë romanin të pakategorizueshëm mirëpo tejet të lexueshëm.

 

Për dallim nga Olga, edhe Handke pos si romancier ka lëvruar njashtu dramën dhe poezinë.

Ai fillimisht kishte marrë vëmendje me dramën “Kaspar” që në fund të viteve të gjashtëdhjeta e kishte vënë në spikamë të letërsisë dhe teatrove evropianë.

Ndërkaq, në vitin 1970 ai vjen me romanin “Frika nga penaltia” i cili më pas ishte adaptuar për një film nën regjinë e regjisorit të madh gjerman, Wim Wenders.

Dy vjet më vonë ai sjell “Pikëllim përtej ëndrrash” ku kishte shkrirë shumë elemente të dhimbshme auto-biografike. Kryesisht, ai në çdo dekadë ka sjellë vepra të çmueshme letrarisht si nga kritikët (Përsëritja, Ecja përgjatë fshatrave), ashtu edhe nga lexuesit.

Veprimtaria e Handke-së vazhdon edhe në dekadat në vijim me librin e tij të fundit të publikuar dy vjet më parë “Hajni i pemës. Ose një mënyrë brenda enterierit”.

Mirëpo, Handke shpesh ka ngjallur edhe kundërthënie dhe është kritikuar për qëndrimin e tij “pro serb” në kohën e luftërave në ish-Jugosllavi, dhe për mbrojtjen që ia kishte bërë ish-presidentit famëkeq serb, Sllobodan Millosheviq.