Kush ishin etërit e evropianëve

3 javë më parë

Kush ishin etërit e evropianëve

Origjina e evropianëve të sotëm është e zhytur ende në mister dhe objekt i debatave të shumta. Arkeologët dhe gjuhëtarët kanë diskutuar gjatë mbi origjinën e familjes indo-evropiane, si dhe origjinën e qytetërimit dhe njerëzve të vendosur në Evropë. Zbulimet e viteve të fundit sugjerojnë se origjina e kulturës evropiane, si dhe disa kulturave të Azisë Qendrore, gjendet tek një kulturë e lashtë e quajtur Yamnaya.

Para vitit 9.000 Para Erës Sonë, Evropa ndodhej ende në epokën e Paleolitit. Ajo ishte e populluar kryesisht nga njerëzit gjahtarë-mbledhës, të cilët nuk jetonin shumë ndryshe nga sa kishin jetuar kur mbërritën fillimisht në Evropë, rreth 37.000 vjet më parë. Por rreth vitit 9.000 Para Erës Sonë, bujqësia dhe jeta rurale nisi të përhapej në mbarë Evropën, dhe duke filluar nga vitit 5.000 P.E.S kontinenti nisi të banohej kryesisht nga fermerët e neolititit.

Rreth viteve 5.000 3.000 P.ES në Evropë dhe ndoshta stepat e Azisë, nisi të përhapet kultura e Epokës së Bronzit. Nga një këndvështrim, ky ndryshim lidhej me rrjetet tregtare që ekzistonin në të gjithë Euroazinë. Evropianët ishin në kontakte tregtare me njerëzit e Lindjes së Mesme dhe stepat e Euroaziatikës, dhe ata adoptuan teknologjinë dhe mënyrënn e jetesës të huajve që ishin më të përparuar në aspektin teknologjik.

Studimet e fundit, kanë zbuluar se shumica e evropianëve të Evropës Qendrore dhe asaj të Veriut, si dhe disa grupime në Azinë Qendrore, i përkasin komunitetit Yamnaya. Duke filluar nga vitet 2800-3000 P.E.S., Yamnaya u zhvendosën nga diku në Rusinë e sotme Perëndimore ose në Ukrainë, dhe nisën të vendosen në fushat e Evropës Qëndrore.

Sekuencimi i gjenomit njerëzor, e ka bërë më të lehtë gjurmimin e migracioneve njerëzore, teksa popullatat e ndryshme kanë gjene karakteristike, të cilat pastaj mund të përdoren për të gjurmuar një rrugë të caktuar migrimi të lashtë. Eurazia ka qindra genoma të larmishme njerëzore që mund të studiohen, për të deshifruar migrimin e dikurshëm brenda popullatave euroaziatike.

Një aspekt interesant i emigrimit të fiseve Yamnaya, është se ata ishin kryesisht burra. Provat gjenetike sugjerojnë se burrat Yamnaya u martuan me gratë europiane, për të krijuar disa popullata evropiane moderne, veçanërisht popullin e Evropës Qendrore dhe Veriore.

Yamnaya përshkuan distanca të mëdha, dhe ka të ngjarë që të kenë zbutur asokohe një kafshë shtëpiake sikurse është kali. Kuajt u zbutën pak para viteve 3.000 P.E.S në Azinë Qendrore. Një nga kulturat më të hershme materiale, të lidhura me zbutjen e një lloji kali është kultura Botai.

Zbutja e kalit, u dha siguri grupeve nomade dhe më shumë lëvizshmëri, për të përshkuar distanca më të mëdha. Është njëlloj si t’u ishte dhënë befas një makinë. Në studimin e migracioneve njerëzore, shkencëtarët nuk kanë gjetur vetëm dëshmi të migrimit njerëzor në studimet gjenomike, por edhe migrimin e sëmundjeve. Ata kanë gjurmuar përhapjen e viruseve në popullatën njerëzore. Një shembull është virusi i Hepatitit B (HBV).

Yamnaya dhe popullata të tjera të lashta euroaziatike, i kanë ndihmuar shkencëtarët të kuptojnë jo vetëm historinë njerëzore, por edhe historinë e viruseve njerëzore. Ajo që pak dihet mbi Yamnaya, është mësuar kryesisht nga arkeologjia. Termi Yamnaya vjen nga shprehja ruse “Yamnaya Kultura’ që do të thotë “Kultura e Gropës”. Kjo është për shkak të llojeve të varreve që lanë pas.

Yamnaya, ishin blegtorë nomadë, që fillimisht jetonin në stepat e Euroazisë, përpara se të zhvendosin në Perëndim. Supozohet se ata janë përgjegjës për konceptin e pronës që zotërohet nga familje të veçanta, dhe që u trashëgohet vetëm individëve brenda këtyre familjeve.

Para ardhjes së Yamnaya, varret evropiane ishin të mëdha dhe të përbashkëta, dhe duket se i përkisnin më shumë se sa një familjeje. Ndërkohë varret e Yamnaya, janë kryesisht individuale.

Kjo mund të ketë qenë e lidhur me jetesën nomade të Yamnaya. Më shumë lëvizshmëri, nuk u jepte shumë kohë për ndërtimin e komuniteteve të mëdha multi-familjare siç janë klanet.

Yamnaya, ishte gjithashtu një nga kulturat e para të Bronzit në Evropë. Përdorimi prej tyre i bronzit dhe bakrit, mund t’u ketë dhënë një avantazh ndaj banorëve të Neolitit, që në atë kohë ishin në Epokën e Gurit në Evropë.

Madje është sugjeruar që gratë europiane, mund t’i kenë konsideruar meshkujt Yamnaya më të preferuar për martesë, për shkak të aftësive të tyre si luftëtarë dhe teknologjisë së tyre superiore.

Yamnaya-t që pushtuan Evropën, duket se kanë qenë kryesisht burra. Raporti meshkuj-femra mund të ketë qenë më i lartë se 14 me 1. Për këtë arsye, nuk është e paarsyeshme të sugjerohet, që burrat Yamnaya që vinin në rajon ishin kryesisht luftëtarë.

Nuk ka gjasa që kjo të ishte pjesë e një pushtimi të organizuar. Gjithsesi, lëvizja në tokat e reja mund të ketë qenë e qëllimshme. Ka të ngjarë që arsyeja e këtij migrimi të ishte gjetja e kolonive, që ishin të ngjashme politikisht dhe kulturisht me atdheun e tyre, për të zgjeruar kulturën e tyre dhe pronat e familjeve të tyre.

Pra ishte i ngjashëm me synimin e kolonive greke dhe romake, që u vendosën në të gjithë Mesdheun. Është ndërkohë e mundur, që ata të mund të kenë qenë grabitës që synonin të bëheshin të pasur nga plaçkitjet, dhe të fitonin lavdi në betejë për të pasur një pozitë të lartë në kominitetet e tyre, diçka e ngjashme me Vikingët.

Jeta e Yamnaya duket të ketë qenë një përzierje e pastoralizmit, bujqësisë, gjuetisë dhe grumbullimit, e cila është e ngjashme me mënyrën e jetesës së kulturave të mëvonshme evropiane, siç janë keltët dhe kulturat e hershme gjermane. Dhe në fakt, zbulimet e kohëve të fundit, sugjerojnë se fiset gjermanike dhe keltët ishin pasardhësit e tyre.

Në shumë raste është e vështirë, në mos e pamundur, të përcaktohet gjuha e lidhur me një kulturë arkeologjike. Në rast se nuk ka të dhëna të shkruara që mund të përkthehen, gjuha e folur nga një shoqëri e lashtë, nuk lë gjurmë në vetvete në regjistrin arkeologjik.

Pavarësisht këtij problemi, ka mënyratë tjera për të përcaktuar gjuhën që ka shumë të ngjarë të jetë folur nga një kulturë arkeologjike. Përhapja e ndikimit gjenetik të komunitetit Yamnaya në Evropë dhe Azinë Qendrore, përputhet përafërsisht me përhapjen e gjuhëve Indo-Europiane. Origjina e gjuhëve Indo-Europiane, është një fushë ku gjallojnë shumë debate dhe kundërthënie. Dy pikëpamjet kryesore, janë se folësit e gjuhëve Proto-Indo-evropiane, paraardhësi hipotetik i gjuhëve Indo-Europiane, ishin ose fermerët e Anadollit, që filluan të zhvendoseshin nga territori i tyre në vitin 7000 P.E.S, ose nomadët pastoralistë nga stepat e Euroazisë, që nisën të lëvizin jashtë atdheut të tyre rreth vitit 4000 P.E.S.

A ishin Yamnaya-t Indo-Europianët e Parë? Folësit e Proto-Indo-Europiane, ishin pjesë e asaj që arkeologët dhe gjuhëtarët e quajnë kultura Proto-Indo-Europiane (PIE). Tani për tani, kultura PIE është kryesisht teorike dhe është krijuar duke nxjerrë përfudime nga ato që tregojnë proto-indo-evropianët për shoqërinë e tyre. Për shembull, proto-indo-evropiane ka fjalë për bagëti si dele, dhi dhe bagëti. Gjithashtu ka fjalë për grurë dhe elb. Kjo sugjeron që folësit e gjuhës ishin të njohur me këto kafshë dhe kultura, dhe mund t`i kenë ngritur ato. Nga ana tjetër, dihet se Yamnaya praktikonin bujqësinë. Ka të ngjarë që sapo të kenë mbërritur në Evropë, ata u vendosën në një vend të caktuar dhe filluan të praktikojnë edhe më shumë bujqësinë.

Burimi: Bota.al

AktivPress