Kush e quante “shpellar”, e kush pozonte me kufomën e Bajram Currit?

2 vite më parë

Kush e quante “shpellar”, e kush pozonte me kufomën e Bajram Currit?

Gazetari dhe studiuesi Bajram Mjeku, në 92 vjetorin e vetëvrasjes së Bajram Currit ka sjellur një fragment nga libri “Tallazet e jetës dhe lotët e zemrës”, i shkruar nga Tahir Zajmi dhe i botuar në Bruksel në vitin 1970.

Konkretisht bëhet fjalë për një telegram urimi që kryeministri shqiptar dhe ministri i Brendshëm, Koço Kota, asokohe i kishte dërguar prefektit të Kosovës në Krumë, Hasan Kryeziut duke e përgëzuar që kanë arritur ta heqin nga faqja e dheut njeriun që, sipas tij e kërcënonte qetësinë e Shqipërisë, përcjell AktivPress.

Hasan Kryeziu shihet duke pozuar pranë kufomës së Bajram Currit.

Shkrimi i plotë i Mjekut:

“Sot 92 vjet më parë, kur në malet e Dragobisë u vetëvra Bajram Curri, kryeministri shqiptar dhe ministri i Brendshëm, Koço Kota i dërgoi telegram urimi Hasan Kryeziut, prefekt i Kosovës në Krumë, në të cilin thuhej: “N’emën të Qeveris shqiptare, ju falënderoj dhe ju përgëzoj për veprën patrijotike qi keni krye tue shdukë nga faqja e dheut njeriun e shpellave qi kërcnonte qetsinë e Shqipnis!…”.

Kështu shkruan Tahir Zajmi, sekretar i Lidhjes së Dytë të Prizrenit në librin e tij “Tallazet e jetës dhe lotët e zemrës”, botuar në Bruksel në vitin 1970. Librin më pat dhuruar nipi i tij, Ardian Zajmi.

Tahir Zajmi ishte adhurues i madh i figurës së Bajram Currit. Ai thotë se përkrah Xhandarmërisë shqiptare, kishte edhe mercenarë serbë e shqiptarë nga Kosova, të cilët ishin vënë në ndjekje të Currit dhe përkrahësve të tij.

Kryeministri shqiptar Koço Kota, 24 vjet më vonë vdiq nga torturat e komunistëve shqiptarë në burgun famëkeq të Burrelit në vitin 1949.

Tahir Zajmi është axha i akademik Gazmend Zajmit dhe dr. Ylli Zajmit. Pas Luftës së Dytë Botërore migroi në Izmir të Turqisë. Dr. Ylli Zajmi kah mesi i viteve pesëdhjetë vizitoi axhën dhe i propozon të largohet nga Turqia. Pas vizitës, Tahir Zajmi vazhdon të jetoj në Bruksel, derisa ndërroi jetë në shtator të vitit 1971.

Më 15 tetor të vitit 2014, familja Zajmi me shpenzimet e saj organizoi rivarrimin e eshtrave të Tahir Zajmit në Gjakovë. Veç mbledhjes komemorative që u organizua nga Komuna e Gjakovës, ceremonia e rivarrimit ndodhi pa kujdesin më të vogël të shtetit të Kosovës, për të cilin Tahir Zajmi sakrifikoi gjithë jetën”./AktivPress

(Prefekti Hasan Kryeziu duke pozuar pranë kufomës së Bajram Currit)