4 muaj më parë

Kush e ndërton shtetin?

Kush e ndërton shtetin?

(Apo: Kur sulmohet njeriu i zakonshëm pse po shkatërrohet Kosova)

Më kujtohet si sot, ishim në orën e profesorit më të mirë që ka Kosova – dhe, nuk po ia përmendi emrin, se sikurse për gjithçka,, edhe me këtë konstatim nuk do të pajtohemi – dhe në fillim të ligjëratës, për të na nxitur të flasim dhe, sidomos, të mendojmë, profesori po na pyet:

– Kush e ndërton shtetin?
Ende pa e kryer mirë, unë ia krisa:
– Elitat.

Askush nuk u pajtua me mua. Masa, populli, atdhedashuria e popullit, patriotët, trimat, ushtarët, lufta….
Askush nuk m’dha të drejtë, përveç njërit. Po, ai u pajtua veç me heshtje e me një buzëqeshje. Dhe vazhdoi ligjëratën.

……………………..

S’ka ditë që nuk dëgjoj, lexoj e shoh njerëzit – dhe, oh, marrëzi, e zë edhe vetën n’këtë faj se edhe unë jam ju, sikurse ju që jeni unë – duke e akuzuar këtë popull për gjithë telashet që i kemi. D.m.th. populli, masa, njerëzit e thjeshtë e paskan krejt fajin pse jemi ku jemi – dhe, po është e vërtetë se jemi në fund të humnerës.

Populli pra, njerëzit e thjeshtë paskan dështuar që nuk po e bëjmë shtetin. Për shkak se populli i do,i adhuron, i dëgjon, del në tubime, voton e nuk proteston kundër një klase që – përnjëmend, dhe këtu kanë të drejtë kritikuesit – po e shkatërron, po e gërryen, po e zhbën këtë vend.

Njerëzit e thjeshtë qenkan të paaftë, injorantë, të paemancipuar, primitivë, të pavetëdijësuar politikisht.

Njerëzit e thjeshtë qenkan të këqinjtë e këtij vendi.

Gabim!
Gabim!
Gabim!

…………………………………….

Njerëz t’mirë, në këtë vend ka dështuar elita. Oh, e di se sapo përmendet kjo fjalë, lindin njëqind pyetje e njëmijë mohime, por po mendoj në një klasë njerëzish që – deshëm ne a s’deshëm, janë apo nuk janë, dalin në ballë apo përvidhen – flasin, shkruajnë, veprojnë dhe, shih çudinë, jetojnë nga punët më të rëndësishme të shtetit, të shtetbërjes, të politikës, artit, letërsisë, filozofisë apo dreqi e di se me çka merren.

Pra, këtu ka dështuar elita.

Nëse e përdorim një shprehje pakëz të vjetëruar, këtu ka dështuar njëriu i shkolluar, i emancipuar, i kulturuar, i ngritur; njeriu që ka parë botën, që ka manire sjelljeje, që vishet e duket për bukuri, flet e shkruan për bukuri….

Me një fjalë:

– Këtu, nuk ka dështuar ai arsimtari i katundit të largët, por akademikët në ndërtesën e bukur me xhama;

– Këtu, nuk ka dështuar fshatari bujk, por ai që ia ha 90 për qind të ndihmave për bujqësinë;

– Këtu, nuk ka dështuar ai votuesi naiv e i painformuar i PDK-së, por kanë dështuar Blerandi, Petriti, Memli, Enveri, Ardiani, Ismajli, Blerimi… (mbiemrat e kêshilltarëve servilë e kriminelë janë tê njohura nga redaksia 😊);

– Këtu, nuk ka dështuar ai votuesi naiv i LDK-së, por ka dështuar Sabri Hamiti që nuk e shporr – se mundet – Ismet Beqirat nga partia, që dikur ka qenë shpresa e vetme e këtij populli;

– Këtu, nuk ka dështuar ai djaloshi e ajo çupa entuziaste, që duan ndryshim, që duan përparim e shtet të njëmendët, por kanë dështuar idelologë të VV-së që i ushqejnë të rinjtë me ideologji të dala boje dhe që janë vetëm valë e vonuar e cunamit të shkatërrimit të çdo gjëje fisnike, elitare e krenare në këtë popull.

– Këtu, nuk ka dështuar ai enveristi i Ferizajt që feston ditëlindjen e tiranit, por kanê dështuar enveristët që janë mentorë të krejt parisë qê e ka çitê Kosovën nê pazar dhe tê cilët veteranë tê njê ideologjie vrastare kurrë nuk kanê dalë të mohojë dashurinë e tij ndaj krimit më të madh që i ka ndodhur shqiptarit.

Pra……

Këtu ka dështuar elita. E veç elita e bën shtetin, sado i djathtë që po tingëlloj, sado që nuk po pajtoheni me mua.

Populli, njerëzit e thjeshtë të Kosovës, ata që punojnë – në rastin më të mirë – nga 12 orë në ditë, 6 ditë në javë, nuk kanë kohë për kurrgjë.

Ata nuk kanë dështuar..

S’ka më të mirë se ta.

Edhe më të durueshëm.