3 javë më parë

Kush do të na kuptojë?

Kush do të na kuptojë?

Në lidhje me Kombëtaren e Kosovës në futboll – dhe kjo pavarësisht humbjes nga Çekia dhe pavarësisht nga rezultati i sotëm me anglezët – na ka rrokë njëfarë euforie, njëfarë çmendie, njëfarë deliri….

Prandaj, edhe mund të gabojmë.

Prandaj, edhe mund të keqkuptohemi.

Prandaj, edhe mund ta teprojmë.

Po, kush na kupton?

Eh, ja kush na kupton!

– Do të na kuptoni ju, që gjatë fëmijërisë, jeni djegur nga malli i futbollit gjatë muajve të dimrit, deri në pranverë, sepse ka qenë shumë ftohtë dhe baltë, që të luani futboll (dhe nuk keni pasur fusha të betonit apo fushat e sotme – sintetike);

– Do të na kuptoni ju, që keni pasur vetëm dy orë në javë Edukatë Fizike në shkollë, dhe mu në ato orë, fusha kryesore ka mundur të jetë e zënë, ka mundur të bie shi mu atë ditë, apo mësuesi nuk kishte mundur të gjente topin e vetëm që kishte klasa jonë;

– Do të na kuptoni ju, që pasdite apo fundjavës, keni dashur të luani me patikat e vetme që kishit, por nana juaj ka dashur që ato t’i keni të pastra për shkollë, kështu që keni luajtur zbathur apo me apanga, që nuk ta kanë mbrojtur këmbën e brishtë nga topi i fortë i plastikës.

– Do të na kuptoni ju, që keni hequr aq shumë derisa e keni blerë një top të plastikës, i cili është shpërthyer po atë pasdite;

– Do të na kuptoni ju, që keni bërë kushedi sa “kontrata’ e marrëveshje me shokët për të blerë një “pollafutball”, i cili pasi që ua mavijoste këmbët e vogla, shpërthehej, për të vazhduar “gjithë verën” ta fryni – çdo 5 minuta – me një “fysht” kimiki;

– Do të na kuptoni ju, që shpesh keni ‘vluar’ nga dëshira për të luajtur një futboll, por keni qenë të zënë: duke iu ndihmuar prindërve, duke punuar bashkë me ta apo duke ruajtur bagëtinë;

– Do të na kuptoni ju, që jeni sikletosur se dielli po perëndon, nata po bie dhe ju nuk po e jepni atë gol të mallkuar (e, atëherë, nuk kishte fusha me reflektorë)

– Do të na kuptoni ju, që keni luajtur zbathur futboll;

– Do të na kuptoni ju, që kur jeni rritur nuk keni pasur patika të duhura të futbollit, por keni qenë aq solidarë me njëri-tjetrin sa që nëse njëri ka një palë adidas “Samba”, atëherë të gjithë kanë!!!;

– Do të na kuptoni ju, që kur, në rini, keni luajtur në fushën e vetme të betonit, me patika ‘kinezka”, nuk keni mundur të fleni atë natë, nga zjarrmia e shputave të këmbëve;

– Do të na kuptoni ju, që kur serbët na okupuan tërësisht, nuk mund të grumbulloheshim as për një turne futbolli, prandaj ecnim nga 7-8 km për në vende ku luanim derisa vinin policia edhe atje;

– Do të na kuptoni ju, që keni lënë Drekën e Bajramit pa ngrënë dhe keni ecur (se as nuk ke pasur veturë e as mjete tjera transporti), për në Morinë, ku nuk kishte as ujë afër, apo te Fusha e Mollës, ku nuk kishte asnjë hije, për të luajtur futboll në Turneun e Bajramit;

– Do të na kuptoni ju, që keni bartur shtyllat nga Shkolla e Dobroshecit, nga ku na përzunë policët serbë, për në livadhet e fshehura poshtë, për të vazhduar turneun – në atë turne, mbaj mend se kam parë talente të ngjashme me yjet e sotme, që pastaj u vyshkën dhe humbën;

– Do të na kuptoni ju, që keni bërë trening profesional dhe keni luajtur lojë, por nuk keni pasur mundësi të pastroheni në fund;

– Do të na kuptoni ju, që keni luajtur në Ligën e Parë dhe të Dytë të Kosovës, në vitet ’90-të;

– Do të na kuptoni ju, që keni qenë talentë për liga profesioniste, por nuk keni mundur t’ua hiqni baltën këpucëve të futbollit, pas lojës në livadhet e Kosovës, sepse stadiumet ishin të ndaluara për shqiptarin;

– Do të na kuptoni ju, që keni qenë tifozë apo lojtarë, kur një polic serb ndalonte – kur të donte – një lojë kampionale;

– Do të na kuptoni ju, që e keni ditur se të shpresosh se një ditë Kosova do ta ketë ekipin përfaqësues në gara ndërkombëtare dhe do të luajë fort dhe si e barabartë me kombet e tjera të botës, ka qenë ëndrra më qesharake dhe më e çmendur, por që, me këmbëngulësi, keni vazhduar të ëndërroni;

Dhe, po, pikërisht, ju që keni ëndërruar, do të na kuptoni. Ju, kosovarë të mirë, që nuk jeni ndalur së ëndërruari për Kosovën. Për Kosovën, të lirë dhe të barabartë në familjen e madhe botërore. Po, ju do të ma kuptoni emocionin, gëzimin, lumturinë, ekzaltimin, klithjen, euforinë për djelmoshat e Kosovës, që mposhtën Azerbajxhanin mbrëmë. Ju, do të më kuptoni shumë mirë pse sot zemra ime është në festë. Ju, do të më kuptoni pse fitorja e Kosovës në futboll nuk është një fitore çfarëdo! Ju, do të më kuptoni se kjo fitore është për ata që nuk janë me ne të festojnë! Ju, do të më kuptoni se kjo fitore dhe çdo fitore e Kosovës tonë të bekuar, është për ato shqiptare dhe ata shqiptarë, që kanë vdekur me sy çelur, për ta parë Kosovën të barabartë me botën.

Prandaj, e di se do të na kuptoni pse jemi të lumtur e të gëzuar si fëmijë!

Si një fëmijë, të cilit daja ia ka blerë një fanelë të re!

Mrekulli!

Mrekulli, si Kosova jonë!

AktivPress