3 muaj më parë

Kush do të jetë rrëfimtari që do t’na tregojë se si po shkatërrohet Kosova?

Kush do të jetë rrëfimtari që do t’na tregojë se si po shkatërrohet Kosova?

Shkruan: Blerim Gashani

Më herët ka qarkulluar një enigmë që e tregonim mes shokëve:

Një çift i ri dashnorësh kishin lënë takim për në ora 8 të mbrëmjes. Djali, natyrisht, shkon më herët dhe ulet në bankën e parkut, ku e kishin caktuar takimin. Vajza vonohet pak dhe djalin e zë gjumi. Në gjumë, djali pa një ëndërr. Ishte mesjetë dhe ai po komandonte një ushtri që ishte në fushëbetejë me një ushtri tjetër. Lufta ishte e ashpër dhe u vranë të gjithë, nga të dyja palët, përveç tij dhe prijësit të ushtrisë armike. Filloi një dyluftim mes tyre dhe armiku ia hodhi shpatën përdhe heroit tonë.

Në realitet, vajza kishte arritur. Në ëndërr, agresori ia kishte afruar shpatën në zemër luftëtarit të pambrojtur. Në të njëjtin moment, kur vajza e preku me lehtësi (ndoshta edhe me dashuri) në gjoks që djali të zgjohej, në ëndërr armiku ia nguli shpatën në zemër. Dhe, djali nuk u zgjua më. Vdiq! Me të vërtetë, jo vetëm në ëndërr. Kushedi, nga trauma apo çfarë, ai nuk u zgjua fare! Vdiq!

Pyetja e enigmës ishte: çfarë nuk shkon, çfarë ju gënjeva në këtë tregim?*

Gati i ngjashëm me këtë enigmë është edhe filmi “Grey” (2012), me Liam Neeson në rolin kryesor. Aeroplani i një grupi punëtorësh në Alaskë ka një avari dhe bie ‘midis kurrkundi”. Ata pak persona që shpëtojnë nga përplasja e aeroplanit në tokë, e gjejnë veten mes pyjeve të paana me borë dhe…ujqve të uritur e vrasës.

Pavarësisht rezistencës dhe vullnetit heroik për të mbijetuar, ujqit i vrasin një nga një dhe në fund, protagonisti (Neeson) i vetëm dhe i pashpresë, e gjen veten që duke u ikur ujqve, kishte shkuar mu në strofkën e tyre. Skena e fundit tregon atë duke u përgatitur të ndeshet në një duel të pashpresë, para se të bie perdja.

Çështja është: nëse heroi vdiq në ndeshjen e fundit me ujkun e tmerrshëm, atëherë kush është narratori? Kush na e tregoi ngjarjen? Pa narrator nuk ka ngjarje, nuk ka rrëfim, nuk ka film?

Po, pse po ju lodhi unë me këto enigma të lodhta e me filma…më së shumti…mesatarë?

Ka një arsye.

Klasa e politikanëve të këtij vendi po “vdesin” moralisht njëri pas tjetrit, tash e sa vjet dhe aderimi në kupolën vendimmarrëse është si hyrje në një sekt – ku askush nuk guxon të thotë se çfarë po ndodh, atëherë pashmangshëm lind pyetja:

Nëse politikanët tanë vazhdojnë të hyjnë në këtë sekt, atëherë a do të ketë narrator të tregojë se çfarë në të vërtetë ka ndodhur.

Me një fjalë, sikur në enigmën dhe filmin e mësipërm, kush do të jetë narratori?

Kush do të jetë tregimtari t’na tregojë neve apo gjeneratës tjetër, se si po shkatërrohet Kosova?

Kush?

* Gënjeshtra është: Djali vdiq pa u zgjuar nga ëndrra. Si e dita unë se çfarë ka parë ai në ëndërr. Unë ju përshkrova betejën, por kush më tregoi mua, kur narratori i vetëm nuk u zgjua, nuk mundi t’i tregoj askujt.