Kurz: Ndihmat e BE-së të jepen për më të varfrit e të varfërve

3 muaj më parë

Kurz: Ndihmat e BE-së të jepen për më të varfrit e të varfërve

Një nga katër shtetet që po kërkon ndryshim të fondit të planifikuar të Bashkimit Evropian për rimëkëmbje pas pandemisë, Austria, dëshiron që një pjesë më e madhe e ndihmave të ndahet për vendet më të varfra të bllokut. Kështu tha kryeministri austriak, Sebastian Kurz.

Austria, Holanda, Danimarka dhe Suedia janë në mesin e kontribuesve më të mëdha në buxhetin e Bashkimit Evropian dhe në përgjithësi janë kundër planeve për shpenzime të mëdha. Së bashku, këto vende e kundërshtuan idenë që plani për rimëkëmbje ekonomike të përbëhej nga grantet dhe kërkuan që të jepen vetëm hua.

Komisioni Evropian, organ ekzekutiv i BE-së, e ka propozuar një fond prej 750 miliardë eurosh, ku dy të tretat e këtyre mjeteve do të dhuroheshin si grante. Liderët e Bashkimit Evropian po shpresojnë që t’u japin formë hollësive të këtij plani në një samit që do të mbahet të premten dhe kancelari austriak ka pranuar se nuk i kundërshton më tërësisht grantet, por do të diskutojë për një pako të përzier.

“Sipas planit të Brukselit, Italia, Spanja dhe Polonia do të përfitonin më së shumti. Por në BE, ne kemi vende që janë në masë të konsiderueshme më të varfra. Logjika ime e drejtësisë më thotë: Nëse ne në BE do të shpenzojmë kaq shumë të holla, ato kryesisht do të duhej të shkonin te më të varfrit e të varfërve”, tha ai për gazetën gjermane “Frankfurter Allgemeine Sonntagzeitung”, pa përmendur ndonjë shtet.

Sipas zyrës së BE-së për statistika, vendet më të varfra të Bashkimit Evropian, sipas të ardhurave për kokë banori, janë Letonia, Rumani, Greqia, Kroacia dhe Bullgaria. Austria ka marrëdhënie të ngushta me vendet e Ballkanit Perëndimor, siç është Kroacia.

Kancelari austria shtoi se ndihmat financiare duhet të jepen me kushte, në mënyrë të ato të mos përdoren thjesht për plotësimin e mungesave në buxhete. Sipas tij, mjetet duhet të përdoren për masa të gjelbra, dixhitalizim, dhe për përkrahje të reformave.