Kurti reagon pas zhvillimeve në Veri

2 javë më parë

Kurti reagon pas zhvillimeve në Veri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas zhvillimeve në Mitrovicë të Veriut.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka thënë se krimi dhe grupet kriminale nuk do të tolerohen dhe do të luftohen.

Tutje, kryeministri bëri me dije se aksioni ka përfunduar dhe u bëri thirrje qytetarëve në komunën veriore të Mitrovicës që të mos bien pre e disa medieve në Serbi që e mbrojnë krimin, korrupsionin dhe kontrabandën dhe duan ta politizojnë dhe etnizojnë atë.

“Aksion i Policisë kundër krimit e kontrabandës në Prishtinë, Pejë dhe në veri e jug të Mitrovicës

Herët në mëngjesin e sotëm, Policia e Kosovës, me qëllim të luftimit të kontrabandës ka filluar operacione bastisjeje në disa lokacione të ndryshme në Prishtinë, Pejë e Mitrovicë (si në jug ashtu edhe në veri).

Këto veprime policore janë paraprirë nga hetimet intensive dhe janë me urdhër e të bashkërenduara me prokuroritë dhe gjykatat kompetente. Janë sekuestruar mallra e dëshmi të tjera që paraqesin edhe prova materiale.

Krimi dhe grupet kriminale nuk do të tolerohen dhe do të luftohen. Kontrabandën do ta luftojmë e do ta parandalojmë.

Aksioni i sotëm policor ka përfunduar. U bëj thirrje qytetarëve në komunën veriore të Mitrovicës që të mos bien pre e disa medieve në Serbi që e mbrojnë krimin, korrupsionin dhe kontrabandën dhe duan ta politizojnë dhe etnizojnë atë”, ka shkruar Kurti.