“Kur të vdes unë, mos ma fal tradhtinë e fundit me vdekje”

3 javë më parë

“Kur të vdes unë, mos ma fal tradhtinë e fundit me vdekje”

Poeti Petrit Ruka mbylli sytë përgjithmonë, sot, në moshën 67-vjeçare, për shkak të një sëmundje të rëndë në zemër nga e cila vuante prej disa vitesh.

Ai ka lënë pas një sërë veprash letrare me disa botime vëllimesh me poezi. Ndërkohë ka realizuar me shume se 30 vepra kinematografike, si skenarist dhe si regjisor.

Një vepër mjaft e njohur e tij është poezia “Kur të vdes unë”, që sot me ikjen e tij tingëllon si një testament i fundit i autorit të veprës.

***

KUR TË VDES UNË
Nga: Petrit Ruka

Kur të vdes unë mbyll derën dhe pi e pi atë natë
Hapi shishet e verës që nuk pimë dot bashkë
(Uh, sa na mbeten, një kantinë e tërë)
Pi edhe shamë që të tradhtova me vdekje
Burrë i pabesë … si uji në rërë …
Lexo nja dy këngë të miat, të trishta
Pastaj grisi dyshemesë
(Pa pikë mëshire, pa lotë)
Më shajë që nuk të këndova siç e meritoje
S’t’u bëra poeti më i mirë në botë.
Për inatin tim nxirri gjinjtë jashtë këmishës
Më thuaj: ja ku i kam akoma plot jetë,
(Ç’t’i bëj tani pa ty, zuzar)
Po tashmë kam ikur e si të ta them
Që për to do të rrotullohem
Edhe brenda në varr …
Kur të vdes unë mos ma fal
tradhtinë e fundit me vdekje,
(Atë më të poshtrën, më të pabesën)
Veç mbaje një sy hapur tek dritarja, se s’ dihet,
Mund të bëj marrëveshje … e të vij
… Me vesën …