10 muaj më parë

Kur t’befasoheni pse e keqja ka triumfuar në këtë vend

Kur t’befasoheni pse e keqja ka triumfuar në këtë vend

(Apo: ku ka gabuar ky popull?)

Shkruan: Blerim Gashani

Pas luftës së fundit, dolën disa armiq të mendimit dhe shkuan e kidnapuan një intelektual. Më të mirin e asaj ane. I arsimuar dhe arsimtar, i edukuar dhe edukues, intelektual, shkrimtar, autor i disa librave, viktima kish kaluar shumë vjet në burgjet e regjimit jugosllav. Për të vetmin faj: mendimin e tij intelektual, idetë e tij për lirinë, për lirinë e popullit dhe të individit.

Edhe, disa luftëtarë të pasluftës, disa trima të pasbetejës dhe disa çlirimtarë të qyteteve, tashmë të çliruara nga NATO, për këto faje e kidnapuan këtë intelektual të mirë dhe të urtë. E morën me zor nga shkolla ku po punonte. Askush nuk foli, askush nuk reagoi, askush nuk lëvizi.

Dikush heshti. Dikush u frikësua. Dikush u tmerrua. Dikush u shtang. Dikush u gëzua. Dikush fërkoi duart. Dikush tha “mirë t’i bëhet se po flet”. Dikush po zgërdhihej. Dikush po mbyllte roletat e po shikonte skenën makabre nga hija. Por askush, askush nuk foli. Asnjëri zë nuk bëri për shokun, për kolegun, për arsimtarin, për intelektualin, për shqiptarin e tërhequr zvarrë. Askush! Dhe, kjo ishte shenja e parë e shkatërrimit moral në këtë shoqëri.

Kanë kaluar gati dy dekada. Shumë gjëra kanë ndryshuar, por jo edhe rrënimi ynë moral. Sidomos, nuk ka ndryshuar heshtja e turpshme e intelektualëve të këtij vendi, kundër shkretëtirës morale që po përparon në oazat e pakta të kësaj shoqërie. Heshtje, heshtje e turpshme

Heshtje, që ende vazhdon!

Dhe, heshtja e intelektualëve (nëse ka ndonjë), njerëzve të shkolluar (ashtu, sadopak), akademikëve (ashtu t’plogësht si janë), elitave (ashtu të vona e pa taban që i kemi pasur), na solli këtu, në këtë stad, ku për Kosovën vendimet i marrin – nga komuna më e largët e më e vogël e deri te Qeveria e Presidenca – njerëzit më të ligj, më të poshtër, më të korruptuar dhe, sidomos, sidomos, sidomos, më injorantë!

Ata, të cilët i kemi ushqyer!

Vetë!

Me heshtje!