Kundërshtari i kampiones së Kosovës, Inter d’Escaldes, nën hetime për kurdisje

2 muaj më parë

Kundërshtari i kampiones së Kosovës, Inter d’Escaldes, nën hetime për kurdisje

Për disa ditë me radhë, gazeta e Principatës së Andorrës “Diari d’Andorra” ka raportuar se kundërshtari i kampiones së Kosovës, Dritës, për ndeshjen gjysmëfinale të turneut preliminar të Ligës së Kampionëve, Inter d’Escaldes është duke u hetuar për kurdisje të ndeshjes së Kupës përballë Sant Julia.

Inter d’Escaldes e fitoi 2:1 ndeshjen finale të zhvilluar më 26 korrik, por dyshimet e Federatës së Futbollit të Andorrës lindën pas lëvizjeve të kuotave në disa kompani të ndryshme të basteve. Siç shkruan gazeta nga Andorra, ishte vetë drejtori i Integritetit të Federatës së Futbollit të Andorrës, Xavier Surana që është paraqitur në polici për t’i denoncuar parregullsitë e mundshme rreth atij dueli.

“Pas analizimit të dyshimeve, federata me miratim të UEFA-s vendosi ta denonconte rastin, pasi besohej se kishte prova të mjaftueshme për zbatimin e ligjit për të filluar hetimet. Tani i takon policisë të analizojë nëse është kryer ndonjë lloj krimi”, shkruan “Diari d’Andorra”.

Por, ditë më parë klubi dhe kapiteni i tij, 40-vjeçari, Ildefons Lima kanë mohuar kategorikisht përfshirjen në ndonjë manipulim nëpërmjet një komunikate.

“Ildefons Lima së bashku me Inter Club Escaldes përmes kësaj deklarate duan të tregojnë se pretendimet për mashtrim të dyshuar, që janë shfaqur ditët e fundit në media të caktuara në Principatë, janë absolutisht të rreme dhe nuk kanë asnjë bazë”, thuhet në njoftimin e klubit kundërshtar të Dritës.

Inter d’Escaldes në mes të polemikave ka mbërritur të enjten pasdite në qytetin zviceran Nyon, ku edhe do të zhvillohet turneu preliminar i Championsit. Ata kanë udhëtuar me autobusin e quajtur “autobusi i gëzimit”. Të shtunën, prej orës 18:00 ekipi nga Andorra do të përballet me Dritën në ndeshjen gjysmëfinale. Fituesi i kësaj ndeshjeje do ta luajë ndeshjen finale të martën, po ashtu nga ora 18:00 me fituesin e gjysmëfinales tjetër, Tre Fiori (San Marino) dhe Linfieldit (Irlandë e Veriut). Fituesi i turneut do të vazhdojë garat në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Interi i Andorrës e ka zhvilluar edhe një seancë stërvitore, derisa të premten do ta ketë edhe stërvitjen e fundit para ndeshjes me Dritën.