Kukeli “kërcënon” Italinë

4 vite më parë

Kukeli “kërcënon” Italinë

Burim Kukeli mendon se Kombëtarja e Shqipërisë do të arrij pikë maksimale ndaj Italisë.

Mesfushori me tipare mbrojtëse, i cili ka provuar të luajë edhe në qendër të repartit të mbrojtjes në shumë ndeshje, kryesisht te Zyrihu, ka dhënë një intervistë për “konica.al”, ku fillimisht flet për përballjen me Italinë.

“Është një emocion i madh të luash me një ekip si Italia, me lojtarët më të mirë dhe kundër formacionit ndoshta më të mirë në grupin tonë. Italia merr pjesë në çdo Europian e Botëror dhe ka futboll të mirë. Në ndeshjen miqësore që kemi luajtur me Italinë mendoj se kemi bërë lojë të mirë. Kemi humbur 1-0, por tani kemi mundësinë të kthejmë reston. Shpresoj të bëjmë një ndeshje të mirë dhe, pse jo, të marrim pikë. Ne si objektiv kemi fitoren në çdo ndeshje, pavarësisht se kundër kujt dhe ku luajmë. Por duke parë që luajmë jashtë fushe dhe me një ekip si Italia, do ta quaja pozitive një pikë”, është shprehur fillimisht Kukeli.

Mavraj e Gjimshiti mungojnë ndaj Italisë, ndaj pozicioni i tij si mbrojtës qendre është një skenar që mund të ndodhë me shumë mundësi.

“Si qendërmbrojtës kam luajtur edhe në Europian dhe me Izraelin gjithashtu disa minuta. Është një pozicion që mundem të luaj. Si të vendosë trajneri, unë kam për detyrë të luaj kudo që të caktojë dhe ta ndihmoj sa më shumë ekipin”.

“Më shumë kam luajtur në rolin e mesfushorit, duke udhëhequr ekipin në topin e parë. Në këtë rol jam më i sigurt, është pozicioni im i preferuar. Por si qendërmbrojtës kam luajtur edhe te Zyrihu, edhe në Kombëtare”, deklaroi ndër të tjera lojtari i Kombëtares Burim Kukeli.

Shqipëria luan me Italinë në muajin mars, saktësisht në datën 24 nga ora 20:45.