Kuçi: Sovranitetin s’kërkojmë të na mbrojë Shqipëria

4 vite më parë

Kuçi: Sovranitetin s’kërkojmë të na mbrojë Shqipëria

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi ka deklaruar në Tiranë se Kosova nuk do të kërkoj nga Shqipëria që t’ia ruajë sovranitetin, por këtë gjë do të mund t’ia kërkonte SHBA-së, NATO-së dhe BE-së.

Këtë qëndrim ai e ka shprehur në bashkëbisedim me studentë e pedagogë të Universitetit Europian të Tiranës.
“Shpeshherë flitet deri ku shteti shqiptar mund të ndihmojë shtetin e Kosovës? Unë mendoj që mund ta ndihmojë ashtu siç e ka ndihmuar deri më tani. Por janë 3-4 çështje që ne duhet ti bëjmë vetë. E para sovranitetin duhet ta ushtrojmë vetë, mos të kërkojmë nga Shqipëria, mbase duhet të kërkojmë nga SHBA-ja, NATO, apo BE-ja. E dyta në tërësinë territoriale duhet të kërkojmë garanci ndërkombëtare. Besoj që kjo është më e udhës, ne e kuptojmë këtë lloj mbështetje që marrim nga Shqipëria, por duhet të jemi korrekt që të themi se Shqipëria dhe Kosova duhet t’i prijnë asaj që të hyjnë sërish në luftë. Ka patur luftëra mjaftueshëm. E treta duhet që autoriteti i ligjvënies dhe vendimmarrjes në Kosovë ti ketë duart më të lira. Por të gjitha këto raporte duhet të jenë të kujdesshme edhe në raport me unionin evropian. Të gjithë ne Kosova, Serbia edhe Shqipëria duam të hyjnë në unionin evropian”, ka thënë Kuçi, raporton mapo.al
I pyetur nga studentët për qëndrimet e qeverisë shqiptare dhe kryeministrit Rama që këtu cilësohen si nacionaliste, Kuçi është përgjigj se marrëdhëniet mes dy shteteve shqiptare nuk kanë nevojë të kalojnë në retorikë nacionaliste.
“Ne duhet ta luajmë rolin e partneritetit. Ne kemi thënë që është shteti nënë dhe ne e kemi patur pikë reference, pikë drite, duhet të dalim me logjikën si ne që kemi shqiptar në Maqedoni kudo tjetër, duhet të japim premtime për aq sa mund t’i mbajmë. Por edhe nuk duhet të kërkojmë nga Shqipëria një veprim që e dëmton Shqipërinë.
Ne duhet të bëjmë veprime të kujdesshme. Ne duhet t’i ikim politikave të inatit. politikave nacionaliste dhe të kemi politika që kërkojnë anëtarësimin në unionin evropian. Askush më shumë në rajon nuk ka nevojë për vlera evropiane se sa kombi shqiptar. Edhe në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni. Kurrë nuk do të kërkojmë prej Shqipërisë diçka që e dëmton shtetin shqiptar, por atë që ka kapacitet për të bërë. Edhe ne do të kërkojmë të njëjtën. Ne do bëjmë për Shqipërinë atë që nuk e dëmton kurrë, por të kundërtën do ta forcojmë Shqipërinë dhe kombin shqiptar”,-ka theksuar numri dy i qeverisë së Kosovës.