Kuçi: Lufta kundër terrorizmit ka të bëjë me identitetin shtetëror

4 vite më parë

Kuçi: Lufta kundër terrorizmit ka të bëjë me identitetin shtetëror

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi mori sot pjesë në Samitin e Kryetarëve të Komisioneve për Punë të Jashtme të shteteve të Evropës, në panelin e katërt “Lufta kundër terrorizmit dhe radikalizmit në rajon”.

Kuçi potencoi orientimin pro perëndimor të Kosovës, duke përmendur masat e ndërmarra në luftën kundër terrorizmit dhe radikalizmit.

Sipas Kuçit, Kosova në këtë aspekt është më ndryshe, meqenëse sipas tij kjo luftë ka të bëjë edhe me identitetin shtetëror, transmeton Aktivpress.

“Ne duhet të jemi të kujdesshëm dhe Kosova ka specifikat e veta që dallon ndoshta prej shumë vendeve tjera. Tek ne lufta kundër terrorizmit, në veçanti kundër radikalizmit ka të bëjë edhe me identitetin shtetëror. Derisa në vendet tjera flasin vetëm për siguri, qoftë qytetare, njerëzore, apo kombëtare, tek ne flasim edhe për identitet shtetëror, sepse ne nuk dëshirojmë që të identifikohemi si vend që është burim i këtyre luftëtareve, si burim i veprimeve të tilla” ka thënë Kuqi.

Kuçi ka theksuar nevojën për krijimin e një qendre për luftimin e këtyre dukurive dhe potencoi rëndësinë e bashkëpunimit sidomos me bashkësitë fetare, në luftën kundër radikalizmit.

“Duhet ta fitojmë një përshtypje që në emër të luftimit të radikalizmit, të mos fitohet perceptimi i luftimit të një bashkësie fetare, sepse kjo e rritë numrin e njerëzve që do të radikalizohen. Megjithatë, asnjëherë nuk e kemi ngatërruar luftimin kundër terrorizmit me të drejtën kushtetuese të ushtrimit të lirive fetare”, tha ai./Aktivpress