Ku shkuan që të gjithë?’ Zbrazja e ngadaltë dhe e trishtë e Vidinit të Bullgarisë

1 muaj më parë

Ku shkuan që të gjithë?’ Zbrazja e ngadaltë dhe e trishtë e Vidinit të Bullgarisë

Nga Angel Petrov/ Vidin dhe Vilnus

Ogynyan Nenchev ka kaluar 15 vitet e fundit në përpjekje për t’u arratisur nga Vidini, një provincë në cepin veriperëndimor të Bullgarisë. Gjashtë herë ai u nis për një jetë më të mirë, gjashtë herë u kthye pas. Vendimi i tij për t’u rikthyer vazhdimisht në një nga cepat më të varfër të vendit më të varfër të Bashkimit Europian ishte i pazakontë. Dëshira e tij për të ikur është e kundërta, shumë e zakonshme. Një eksod i vazhdueshëm i të rriturve në moshë pune ka kontribuuar në humbjen e pothuajse gjysmës së popullsisë së rajonit përgjatë 35 viteve të fundit – nga 162 mijë më 1985 në rreth 85 mijë më 2018.

Ognyan filloi të kërkojë për punë në fund të të dyzetave, pasi humbi vendin e punës si inspektor veterinar në qytetin e Vidinit, kryeqytetin e provincës që mban të njëjtin emër. Ndryshe nga miliona bullgarë që shkuan në Europën perëndimore, ai kufizoi kërkimin e tij brenda vendit. Në disa raste ai gjeti punë si mjek veterinar, në bazë të kualifikimeve të tij kryesore. Ai u kthye në Vidin sa herë që i shteroi puna, me të njëjtën ndjesi në çdo rast: tmerr. “Ishte sikur po kthehesha në varr,” tha ai. “Ky është një qytet që po vdes.”

Vidini gjendet në një spirale vdekjeje në të cilën stanjacioni ekonomik dhe rënia demografike ushqejnë njëra-tjetrën. Njerëzit kanë qenë duke ikur nga provinca në kërkim të mirëqenies dhe mirëqenia nuk ka mbërritur në provincë për shkak se kaq shumë njerëz prej saj kanë ikur.

Ndërsa një dinamikë e tillë shënohet në një pjesë të madhe të Europës Lindore, situata në Vidin duket se ka qenë dramatike. Popullsia e provincës ka rënë me normën më të lartë të shënuar në të gjithë Bullgarinë, vend ku rënia e popullsisë është me normën më të lartë të Bashkimit Europian, dhe më shumë, në botë. Vidini me të drejtë pretendon se është kryeqyteti botëror i rënies së popullsisë – pika zero në kolapsin demografik.

Një rast i veçuar në botë, Vidini është gjithsesi shembull tipik për rajonin e vet. Që nga rënia e komunizmit 30 vjet më parë, vendet në Europën Lindore dhe Jug-Lindore kanë qenë dëshmitare të një fenomeni të jashtëzakonshëm – një tokë që gradualisht zbrazet nga njerëzit. Sipas një raporti të Kombeve të Bashkuara nga viti 2019, rajoni është shtëpi e nëntë nga dhjetë vendet me rënien më të shpejtë të popullsisë në botë.

Pas këtyre statistikave ka dy tendenca kryesore: emigrimi drejt perëndimit dhe rënie të lindshmërisë. Miliona të rinj janë larguar nga lindja e Europës për ekonomitë më të pasura në perëndim. Në të njëjtën kohë, ata që kanë mbetur pas kanë më pak fëmijë se sa gjeneratat e mëparshme. Këto faktorë janë kombinuar për të prodhuar një normë rënie popullsie të paparë ndonjëherë në kohë paqeje dhe të ngjashme me rëniet e popullsisë që mund të shkaktohen vetëm nga luftërat dhe pandemitë.

Ndërtesa të braktisura, pamje e zakonshme në provincën Vidin.Foto: Nikolay Doychinov

Ky artikull i Rrjetit Ballkanik për Gazetari Investigative, BIRN, ekzaminon se si Vidini u bë epiqendra e këtij fenomeni, dhe çfarë do të thotë kjo në kuadër të një Europe që përballet gjithashtu me presione demografike. Sepse nuk janë vetëm familjet e Europës lindore që po zvogëlohen. Nëpër të gjithë Bashkimin Europian, norma e lindshmërisë, ose numri mesatar i fëmijëve të lindur nga gratë në moshë riprodhuese, ka qenë në rënie tashmë prej shumë dekadash. Nëse blloku në përgjithësi ka shmangur rënien e drejtpërdrejtë të popullsisë që është parë në Europën lindore, kjo ka ndodhur në veçanti për shkak se shtetet anëtare në perëndim kanë tërhequr migrantë nga përtej kufijve të vet si dhe nga brenda vetes.

Në Europën lindore, gjithsesi, shumë qeveri janë haptazi armiqësore me migrimin, veçanërisht nga Azia, Afrika dhe Lindja e Mesme. Udhëheqësit në këtë rajon në mënyrë të përsëritur kërkojnë kontrolle më të rrepta kufitare dhe kundërshtojnë pranimin e kuotave të përcaktuara nga BE për refugjatë dhe migrantë. Megjithatë norma e rënies demografike po i detyron disa prej tyre të bëjnë zgjedhje që nuk dëshirojnë t’i bëjnë.

Rënia demografike mbart kosto afatgjata ekonomike. Me kalimin e kohës, një forcë punëtore në pakësim bëhet jotërheqëse për investitorët dhe e pamjaftueshme për të financuar nevojat për pension dhe kujdes shëndetësor të një popullsie në plakje. Tërheqja e punëtorëve të huaj mund të ndihmojë në kompensimin e këtyre kostove dhe ky është opsion më i shpejtë dhe më i mirë se sa masat alternative, të tilla si nxitja e familjeve më të mëdha apo nxitja e të larguarve nga vendi për rikthim. Polonia dhe Lituania janë vetëm dy nga këto vende që kanë filluar të nxisin një formë specifike migrimi – nga Ukraina fqinje, një vend jashtë ekonomisë së BE-së që ka vuajtur gjatë viteve të fundit nga një konflikt me Rusinë. Shtetet e Europës jug-lindore si Bullgaria nuk kanë përdorur ende politika të ngjashme, por shkalla e rënies demografike mundet që shpejt t’i detyrojë ato të mos kenë zgjidhje.

“Një valë masive migrimi është e nevojshme,” thotë Georgi Burdarov, një demograf në Universitetin e Shën Kliment Ohridski në kryeqytetin e Bullgarisë, Sofia, i cili ka qenë duke këshilluar qeverinë e Bullgarisë mbi këtë problem. “Nëse toka nuk mund të mbushet me popullatë bullgare, një tjetër popullsi do të vijë. Ky territor do të ketë një të ardhme më të mirë.”

Vidini ishte dikur një qendër madhore tregtare falë vendndodhjes së vet përgjatë Lumit Danub. Foto: Nikolay Doychinov

E shkuar kozmopolitane

Vidini gjendet në fund të një udhëtimi pesë orësh me makinë nga Sofia. Rruga 240 kilometra e gjatë kalon përmes Stara Planina, ose Malet e Ballkanit, dhe përbën një segment të një korridori të ngarkuar me trafik që lidh Europën Qendrore me portin grek të Selanikut. Përgjatë segmenteve malore të kësaj rruge, makinat dhe kamionët çajnë përmes korsive të ngushta dhe me gropa. Aksidentet janë të zakonshme dhe kur ndodhin bllokojnë trafikun në të dyja drejtimet. Qeveri të njëpasnjëshme kanë premtuar të përmirësojnë rrugën por deri më sot nuk kanë bërë asgjë e prekshme.

Pas në vitet 1980, udhëtimi mes Vidinit dhe Sofies merrte vetëm 35 minuta. Qytetet ishin të lidhura me një linjë ajrore të operuar nga kompania shtetërore e Bullgarisë. Biletat ishin të lira. Banorët më të moshuar të Vidinit rikujtojnë se si vizitonin Sofien qoftë edhe për të bërë blerje.

Gjithsesi, shërbimi u hoq pas rënies së shtetit komunist. Fluturimet u ndërprenë në vitin 1992 ndërsa edhe aeroporti i Vidinit nuk u përdor më. Sot, kullat e braktisura të kontrollit qëndrojnë mbi fushën e mbushur me goma të vjetra dhe shishe të thyera. Kanë hyrë në folklor rrëfenjat nga epoka e aviacionit në Vidin, për shembull, një që tregon se një pasagjer mori një pulë në avion për ta shitur në Sofie duke e vënë atë në gjumë pasi e bëri tapë me alkool.

Sot në vetë qytetin e Vidinit vegjetacioni është shkrirë me qytetërimin. Pemët dhe shkurret zbusin pamjen e blloqeve të apartamenteve prej betoni të ndërtuara në epokën komuniste. Në pranverë, aroma e portokajve në lulëzim mbush rrugët e boshatisura. Në shesin kryesor, një ekran gjigand transmeton video për informim publik pavarësisht se çfarë ore dite është.

Sinagoga e rrënuar e Vidinit ishte dikur e dyta më e madhja në Bullgari. Foto: Nikolay Doychinov

Lagjja kryesore – e cila sot ka rrugë të mbuluara me gjethe dhe vila të rrënuara – dikur kishte konsullatat e lojtarëve të rajonit, Rusia, Austria, Greqia dhe Rumania. Në atë që dikur ka qenë sinagoga e dytë më e madhe në Bullgari tashmë barishtet kanë çarë mbi dysheme.

Vidini ia detyron statusin e saj të dikurshëm gjeografisë. E gjendur në brigjet e Lumit Danub, ajo ishte prej shekujsh një qendër tregtare, e kërkuar nga sundimtarët serbë, hungarezë dhe osmanë. Nën qeverinë komuniste në Bullgarisë, qyteti u zhvillua si një qendër industriale. Në vitet 1980 ajo prodhonte të gjithë telefonat e vendit dhe dy të tretat e gomave të automjeteve. Tavlla suveniri nga qyteti paraqisnin kështjellën mesjetare Baba Vida. Por nëse ndokush ka ndër mend të ndërtojë një kështjellë në Vidin sot, ka gjasa ajo do të shërbejë për të mbajtur banorët brenda më shumë se sa pushtuesit jashtë.

‘Problemi i vezës dhe pulës’

Që të dy djemtë e Nikolay Tsochev u bashkuan me eksodin drejt perëndimit, duke u zhvendosur në Spanjë  për të punuar në sektorin e teknologjisë së informacionit. Ndërkohë, roja private gjashtëdhjetë e pesë vjeçar ishte gjithashtu një nga ato që la qytetin e Vidinit, por vetëm për t’u zhvendosur në fshatin Novo Selo aty pranë, për shkak se në qytet e kishte të vështirë të jetonte me pagën e tij 320 euroshe.

Djemtë e ndihmojnë herë pas here. “E si mund të kërkoj për më shumë?” i tha ai BIRN. “A është normale që viçi të ushqejë lopën?” Ai dikur kishte një biznes hidroizolimi por e mbylli dyqanin më 2010 për shkak të krizës financiare globale që përfshiu edhe Bullgarinë. “Njerëzit këtu nuk kanë më para të riparojnë shtëpitë,” tha ai.

Nikolay Tsochev, ulur në mes, thotë se e pati të vështirë të jetonte me rrogën e rojës në Vidin. Foto: Nikolay Doychinov

Të ardhurat për frymë në Vidin janë mesatarisht 3,640 euro, ose sa gjysma e mesatares së Bullgarisë, sipas Eurostat, zyrës së BE-së për statistika. Norma e papunësisë në provincë është 13.5 për qind, tri herë më e lartë se sa mesatarja në Bullgari. Këto shifra nuk mund të trajtohen si ngushtësisht të sakta, për shkak se nuk marrin parasysh ekonominë joformale që ka përmasa të gjera. Shumë njerëz punojnë pa kontrata ndërsa këto të ardhura plotësohen në mënyrë private nga remitancat.

Në qytezën e Belogradçikut, 56 kilometra nga qyteti i Vidinit, të papunët shtyjnë kohën në kafene. Kryebashkiaku Boris Nikolov tha se të papunët zgjedhin jetën e varfër të remitancave në vend që të marrin një punë të çfarëdoshme. “Ti nuk mund të gjesh as katër njerëz të punojnë në një karrocë abulante kafeje,” i tha ai BIRN. Nikolovi tha se shifra zyrtare e popullsisë në qytet është ndoshta të gënjeshtërta për shkak se shumë kanë ikur jashtë të pa kapur nga sistemi statistikor. “Ne ishim 10 mijë njerëz më 1991 ndërsa jemi sot në letra 5 mijë, e ndoshta 3 mijë në realitet,” tha ai.

E braktisur nga popullsia në moshë pune, Vidini është bërë një tokë e të moshuarve dhe, me raste, e fëmijëve. Disa nga migrantët kanë lënë pas vetes “Fëmijë të Skype”, të cilët kanë marrë këtë emër për shkak të aplikacionit online me të cilin mbajnë kontaktet në distancë.

Këta fëmijë zakonisht i besohen gjyshërve dhe mbështeten nga remitancat. Në veri-perëndimin e Bullgarisë, 44 për qind – ose pothuajse gjysma – e fëmijëve në moshë nga 10 deri më 17 kanë një ose që të dy prindërit që punojnë jashtë vendit, sipas një raporti të agjencisë së OKB-së për fëmijët, UNICEF. Në të gjithë Bullgarinë, shifra mesatare ishte 23 për qind, ose një në çdo pesë fëmijë.

“Prindërit ikin për shkak se janë të detyruar, jo se duan,” tha 18-vjeçarja Kristin Valentinova. Një e sapodiplomuar nga shkolla e mesme në Vidin, ajo thotë se e ka parë të atin shumë pak herë përgjatë 13 viteve, kohë gjatë së cilës ai jetoi dhe punoi në Qipro. Përgjatë dy prej këtyre viteve, Kristin u rrit vetëm nga gjyshja për shkak se e ëma u bashkua me të atin për të punuar në Qipro. Të 26 nxënësit që u diplomuan bashkë me të nga shkolla e mesme kanë ikur tashmë nga Vidini. Ajo bëri të njëjtën gjë vitin e kaluar duke u zhvendosur në Holandë për të studiuar biznes.

Një poster e kancelares së Gjermanisë Angela Merkel vendosur në një mur në Belogradçik. Gjermania është destinacioni kryesor i migrantëve. Foto: Nikolay Doychinov

Shpresat për skema të mëdha për të rigjallëruar ekonominë e Vidinit nuk u bënë kurrë realitet. Inaugurimi i një ure mbi Danub në vitin 2013 për të lidhur Vidinin me Kalafatin në Rumani, rritën sasinë e trafikut përmes provincës por nuk krijuan shumë vende pune. Më 2017, qeveria kombëtare dha një milionë euro për një program punësimi për veri-perëndimin e Bullgarisë, program që synonte të nxiste punëdhënësit të mbanin forcën punëtore vendëse për së paku një vit. Sipas Radoslav Georgiev, një ekonomist në Vidin për organizatën kërkimore Active Society, 90 për qind e punëmarrësve u pushuan nga puna menjëherë pasi përfundoi programi.

Ekonomia e dobët e Vidinit dhe popullsia në rënie kanë shkaktuar një problem të vezës dhe punës, sipas Georgi Stoev, themelues i inkubatorit të teknologjisë së Bullgarisë. Ai tha se punëdhënësit qëndrojnë larg zonave të tilla si Vidini, “duke pretenduar se nuk ka punëmarrës të përshtatshëm për të punësuar ndërsa të rinjtë ikin, duke thënë se nuk ka punëdhënës të përshtatshëm”.

“Erëra të forta demografike”

Eksodi i punëtorëve të Bullgarisë filloi në vitet 1990 në trazirat pas rënies së komunizmit dhe vijoi edhe ca pas shekullit të ri. Hyrja e Bullgarisë në BE në vitin 2007 u parapri nga shqetësimet se migrimi do të rritej edhe më shumë pasi liria e lëvizjes u përfitua nga të gjithë bullgarët. Duke i paraprirë rrezikut të migrimit, vendet e pasura të BE-së – nga Italia, Austria, Gjermania e deri te Holanda, Mbretëria e Bashkuar dhe Irlanda – imponuan kufizime të përkohshme mbi punëtorët nga Bullgaria dhe Rumania, të dy vendet që u anëtarësuan në bllok më 2007.

I fundit nga këto kufizime skadoi në vitin 2014.

Gunter Verheugen, Komisioneri i Zgjerimit të BE-së mes viteve 1999 dhe 2004, i tha BIRN se ai ishte i shqetësuar mbi ndikimin që mund të kishte mbi ekonomitë e Rumanisë dhe Bullgarisë humbja e më shumë punëtorëve. Gjatë bisedimeve para anëtarësimit, tha ai, kufizimet e përkohshme u panë jo vetëm si mjet për të mbrojtur tregjet e punës në Europën perëndimore por edhe si mbrojtje për “zhvillimin e vendeve kandidate.” Gjithsesi, politikëbërësit u kapën të papërgatitur nga shkalla e rënies së popullsisë. “Askush nuk mund të priste një depopullim kaq të shpejtë sa kjo që ndodhi me Bullgarinë dhe Rumaninë,” tha Verhuegen.

Kryenegociatori i Bullgarisë për bisedimet për anëtarësim, ishi zëvendësministri i Jashtëm Vladimir Kisyov, i tha BIN se udhëheqësit e BE-së në tërësi kishin qenë “pragmatikë” mbi zgjerimin e lirisë së lëvizjes, duke pranuar se një masë e tillë mund të lehtësonte mungesat në tregun vendës të punës. “Vendeve të BE-së që i mungojnë përfitimet e punëtorëve nga njerëzit tanë,” tha ai.

Në shumë vende në Bullgarinë veri-perëndimore, numri i të moshuarve kapërcen atë të të rinjve. Foto: Nikolay Doychinov

Rumania dhe Bullgaria natyrisht që prisnin të përfitonin nga anëtarësimi në BE, siç kishin përfituar vendet e tjera pas bashkimit me bllokun. Në teori, përfitimet ekonomike që vijnë me anëtarësimin mund të ndihmojnë për ngadalësimin e normës së rënies demografike, duke reduktuar incentivat për emigrim.

Standardet e jetesës duket se janë përmirësuar pas anëtarësimit. Kur Bullgaria u anëtarësua në BE më 2007, PBB për frymë ishte 40% e mesatares së 27 vendeve anëtare të bllokut. Më 2018, ajo arriti në 50 për qind të mesatares së 28 vendeve anëtare. Norma e papunësisë është në një minimum historik.

Megjithatë, edhe rënia demografike ka vijuar. Dhjetëramijëra të rinj bullgarë vijojnë të ikin për në Europën perëndimore çdo vit. Numri i bullgarëve që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit është dyfishuar që kur vendi i tyre u bashkua me bllokun, sipas agjencisë së statistikave të BE-së, Eurostat. Dymbëdhjetë për qind e forcës punëtore të vendit tashmë jeton në shtetet e BE-së.

Natyrisht, emigrimi nuk është faktori i vetëm pas rënies demografike. Norma e lindshmërisë në Bullgari është 1.5 lindje për grua, shumë më poshtë se sa minimumi i nevojshëm për të mbajtur popullsinë të pandryshuar pa marrë parasysh humbjet që shkaktohen nga emigrimi. Në provincën e Vidinit, numri i lindjeve çdo vit ka rënë me dy të tretat që nga viti 2000.

Bullgaria ofron 65 jave leje lindje me pagesë të plotë. Në BE vetëm dy vende të tjera ofrojnë më shumë se kaq. Gjithsesi, sipas Kaloyan Staykov, një ekonomist në institutin kërkimor për Ekonomi Tregu me bazë në Sofie, qeveria mund të bëjë më shumë për ta bërë prindërimin një zgjedhje tërheqëse.

“Kushtet bujare ngjajnë mirë në fillim,” i tha ai BIRN, por ka pak mbështetje për familjet me të ardhura të ulëta apo për rikthimin e nënave në punë.

Ndërsa përfitimet ekonomike të Bullgarisë pas anëtarësimit në BE nuk e kanë pakësuar rënien e saj demografike, e kundërta mund të ketë ndodhur, pra që rënia demografike të ketë penguar përfitimet ekonomike. Sipas një vrojtimi mbi rajonin të Fondit Monetar Ndërkombëtar, FMN, PBB për frymë në Europën lindore dhe jug-lindore mund të rriten në 74% të mesatares së BE-së deri në vitin 2050 – një rritje e madhe në krahasim me nivelin aktual prej 52 për qind. Gjithsesi, pasi futi në llogari rënien e popullsisë, FMN-ja rishikoi PBB-në e rajonit përgjatë të njëjtës periudhë në pak më shumë se 60% të mesatares së Europës perëndimore. Në fjalën e vrojtimit, “erërat e forta demografike” kanë ngadalësuar normën e “konvergjencës në të ardhura”.

Një forcë pune në pakësim e bën më të vështirë për qeverinë të paguajë pensionet dhe kujdesin shëndetësor për të moshuarit. Foto: Nikolay Doychinov

‘Marr Kallashin’

Në anën tjetër të Europës lindore, shteti i Lituanisë në Balltik pritet të arrijë të njëjtën shkallë rënieje të popullsisë me Bullgarinë në vitin 2050, sipas projeksioneve më të fundit të OKB-së. Që nga vitet 1990, vendi ka humbur 883 mijë njerëz, ose pothuajse një të katërtën e popullsisë së vet, më së shumti për shkak të emigrimit drejt vendeve të tjera të BE-së.

Si gjithkund tjetër në rajon, demografia është bërë një problem madhor politik, megjithëse nuk ka ushqyer atë lloj të politikës nativiste që është parë në Poloni dhe Hungari. Qeveria e Lituanisë është udhëhequr nga Bashkimi i Fermerëve dhe të Gjelbërve, një parti e re që fitoi zgjedhjet nën premtimin për të përmirësuar mirëqenien shoqërore dhe për të ndalur emigrimin drejt BE-së.

Krahas politikave që shënjestrojnë nxitjen e rikthimit të punëtorëve të emigruar, kjo parti ka subvencionuar blerjen e shtëpive rurale për të joshur shtetasit e Lituanisë të vendosen në zonat e depopulluara rurale. “Dhjetë familje të reja në një zonë të vogël mund të nënkuptojë dhjetë biznese të reja,” thotë për BIRN nënkryetari i partisë Tomas Tomilinas. Ai shtoi gjithsesi se ndikimi i subvencionimeve ka qenë në përgjithësi “simbolik”.

Përballë mungesave kronike të punës, qeveria e Lituanisë ka filluar të lehtësojë kufizimet për punëtorët e huaj tre vjet më parë. Vendi tashmë është shtëpi e 58 mijë të huajve, ndërsa dhjetëramijëra të tjerë besohet se punojnë në të zezë. Shumica kanë ardhur nga Ukraina, ndërsa një numër më i vogël janë nga Bjellorusia dhe Rusia. Ata janë punësuar në transport dhe ndërtim, ku janë akuzuar se kanë sjellë uljen e rrogave.

“Ukrainasit që vijnë në Lituani janë viktima të mosnjohurive të ligjit,” thotë Volodymyr Kurylo, një migrant ukrainas që drejtoj një skuadër ndërtimi në Vilnius. Ndërsa i lumtur se po fiton një pagë më të lartë se sa në shtëpi, ai gjithashtu po mendon të zhvendosë familjen për në Gjermani për një pagë akoma më të mirë.

Tomilinas pranoi se fluksi i punëtorëve migratorë ka ndihmuar ekonominë, por shtoi se nevojitej kujdes. Lehtësimi i kufizimeve të imigrimit, tha ai, është si një “stendë dyqani çokollatash, alkooli gje cigares” – një zgjidhje e shpejtë dhe joshëse për rënien demografike.

Përpjekjet e qeverisë për të ngadalësuar rënien demografike të Vidinit kanë pasur shumë pak efekt deri tani. Foto: Nikolay Doychinov

Ende ka pak shenja që të tregojnë se Bullgaria do të përpiqet të joshë punëtorë migrantë në përmasat e vërejtura në Lituani. Armiqësia ndaj të sapo-ardhurve joeuropianë u vërejt me tepri gjatë krizës së fundit të migrimit, kur mijëra njerëz që po arratiseshin nga lufta dhe varfëria në Lindjen e Mesme dhe Azinë e Jugut kaluan përmes Bullgarisë në rrugën e tyre drejt Europës perëndimore.

“Nëse vijnë emigrantët, unë do të kap kallashin,” thotë Nikolay Tsochev, ish-hidroizoluesi. “Edhe nëse nuk janë myslimanë, ne mund të përfundojmë keq. Një ukrainas mund të punojë këtu për një pagë më të ulët.”

Ognyan Nenchev, veterineri, është më pranues ndaj idesë. “Nuk është ide e keqe të sjellësh migrantë,” tha ai. “Disa thonë se migrantët ulin pagat e qytetarëve të Vidinit. Por për çfarë po flasin këto qytetarë?”

Ndërsa po kërkon për një punë tjetër që mund ta heqë nga Vidini, Ognyan rikujton se si në një rast u josh për të ikur jashtë vendit, nga oferta për një punë dhe strehë të lirë në Gjermani. Ai iku deri te stacioni, ku u ndalua sepse deshi të hipë në autobuz bashkë me macen e tij. “E si mund ta lë macen pas?” rikujton ai. Dhe kështu ai qëndroi, ku lodhja e tij nga papunësia në Vidin u kompensua nga dashuria për macen./BalkanInsight/