Kryeziu: Duart e ngritura të kuvendarëve të ballafaqohen me votat e qytetarëve

2 muaj më parë

Kryeziu: Duart e ngritura të kuvendarëve të ballafaqohen me votat e qytetarëve

Zëdhënësi i Qeverisë në detyrë, Perparim Kryeziu, konsideron se arsyetimi se zgjedhjet nuk mund të mbahen për shkak të pandemisë, nuk qëndron.

Ai përmes një postimi në Facebook duke përmendur uljen e numrit të rasteve me Covid-19 në Kosovë, ka thënë se vetëdija dhe përvoja e organizimit të veprimtarive të ndryshme në kohë pandemie po rritet gradualisht.

Ai ka thënë se “duart e ngritura të kuvendarëve le të ballafaqohen me votat e qytetarëve”.

Derisa ka komentuar videon e djeshme të postuar nga Lëvizja Vetëvendosje tek demonstrohet votimi në kohë pandemie, Kryeziu ka thënë se organizimi i zgjedhjeve është dëshmuar të jetë praktikisht i mundshëm.

Ai ka thënë se deputetët duhet të mblidhen për të shpërndarë Kuvendin për t’u mbledhur përsëri pas zgjedhjeve 2020.

“Vullneti i qytetarëve për zgjedhje haptazi ekziston dhe neni 82.2 i Kushtetutës i parasheh ato. Andaj deputetët le të mblidhen në kuvend për ta shpërndarë atë vetëm për t’u mbledhur prapë pas zgjedhjeve 2020. Vullneti i qytetarëve nuk mund të mbahet peng i interesave të disa deputetëve, vullneti i të cilëve është peng i kryetarëve të partive të tyre në radhë të parë. Le të shkojmë në zgjedhje për tu çliruar të gjithë, dhe le të fillojmë me zgjedhjet lokale të parakohshme në Podujevë”, ka thënë ai.

Ai ka përmendur disa shembuj të cilët mund të ndiqen për organizimin e zgjedhjeve.

Shembuj që mund të ndiqen si në parim po ashtu edhe në praktikë të organizimit të zgjedhjeve kemi mjaftueshëm, zgjedhjet Presidenciale në Islandë me 27 qershor, zgjedhjet Lokale në Francë me 28 qershor, zgjedhjet Rajonale në Spanjë me 12 korrik, zgjedhjet Nacionale në Kroaci me 17 korrik”, ka shkruar ai.

Ai tutje ka thënë se “zgjedhjet janë parim i demokracisë dhe burim i legjitimitetit”.