Kryeparlamentarët e Ballkanit Perëndimor letër BE-së: Lejoni eksportin e pajisjeve mjekësore në rajon

8 muaj më parë

Kryeparlamentarët e Ballkanit Perëndimor letër BE-së: Lejoni eksportin e pajisjeve mjekësore në rajon

Vendimi i Bashkimit Europian për të ndaluar eksportet e pajisjeve shëndetësore me vendet jo anëtare të Bashkimit Evropiane, ku vetë këto vende po përballen me pandeminë e koronavirusit, ka vënë në vështirësi vendet e Ballkanit Perëndimor.

Për këtë arsye, kryeparlamentarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor i janë drejtuar me një letër Presidentit të  Parlamentit Evropian, David Sassoli, dhe Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, nëpërmjet së cilës u propozojnë Parlamentit dhe Komisionit Europian disa masa shtesë për luftën ndaj pandemisë në rajonin tonë.

“Të vetëdijshëm për kompleksitetin e situatës së pandemisë COVID-19,  numrin e personave të infektuar dhe pajisjet e pamjaftueshme mjekësore të vendeve tona, sot, më tepër se kurrë, kemi nevojë për solidaritet, një qasje të koordinuar dhe veprim të përbashkët. Ndaj, kërkojmë që vendet e Ballkanit Perëndimor: Të përjashtohen nga vendimi për të kufizuar eksportin e paisjeve mjekësore nga Bashkimi Evropian dhe të përfshihen në skemën e autorizimit të eksportit BE-së;  Të kenë akses në prokurimin e përbashkët me BE-në të paisjeve mjekësore për të luftuar pandeminë; Të  lejohen që një pjesë e fondeve  të Programit  IPA II dhe të gjitha fondet e tjera në dispozicion nga burimet  e BE-së të përdoren për të luftuar pandeminë COVID-19.  Veç masave të propozuara, në emër të parlamenteve të vendeve tona, mirëpresim çdo lloj ndihme që Bashkimi Evropian është i gatshëm të vejë në dispozicion të vendeve të Ballkanit Perëndimor”, thuhet në letrën e kryeparlamentarëve të rajonit.

Letra është nënshkruar nga Gramoz Ruçi, Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë; Denis Zvizdic; Kryetar i Dhomës së Përfaqësueve të Bosnjë- Hercegovinës dhe Dragan Covic, Kryetar i Dhomës së Popujve të Bosnjë-Hercegovinës; Vjosa Osmani,Kryetare e Kuvendit të Kosovës;  Ivan Brajovic, Kryetar i Parlamentit të Malit të Zi; Talat Xhaferi, Kryetar i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut; Maja Gojkovic, Kryetare e Parlamentit të Serbisë.

Një ditë më parë, eurokomisioneri për zgjerim, Oliver Varhelyi njoftoi se BE do të ndajë 38 milion € ndihmë të menjëhershme për sektorët e shëndetësisë.

Po ashtu, Varhelyi shtoi se parashikohet edhe rialokimi i mbi 373 milion € për rimëkëmbjen sociale dhe ekonomike.

Oliver Varhelyi: I shkrova Kryeministrave të partnerëve tanë #Ballkanit Perëndimor për të konfirmuar se qëndrojmë pranë rajonit në luftën kundër #Koronavirus. Ne po ndajmë 38 milion € ndihmë të menjëhershme për sektorët e shëndetësisë dhe parashikimin e rialokimit mbi 373 milion € për rimëkëmbjen sociale dhe ekonomike.