Kriza në Telekom, pagat e punëtorëve do të ulën

1 muaj më parë

Kriza në Telekom, pagat e punëtorëve do të ulën

Bedri Istrefi, kryeshef ekzekutiv i Telekomit, ka thënë se në këtë ndërmarrje do të marrin vendim për të zvogëluar të gjitha pagat për të arritur të kryejnë obligimin ndaj një operatori ekonomik ndërkombëtar për të nxjerrë Telekomin nga kriza.

Ai ka thënë se janë afër marrëveshjes me një operator dhe ka shtuar se stafi është pajtuar që të sakrifikojnë edhe pagat për të mos rënë shërbimet.

“Fatkeqësia më e madhe që ka ndodhur ndonjëherë ishte marrja e dividentës. Çka bëri shteti? Një garancion bankar nuk ma dha pavarësisht ngritjes së çështjes sensitive që kam thënë se pos që po rrezikohen shërbimet, po rrezikohen interesat nacionale. Deri këtu jemi rrezikuar dhe s’kam gjetur mbështetje nga institucionet tona për një garancion bankar. Thuajse e kemi bërë një paramarrëveshje me operatorin ekonomik ndërkombëtar dhe kam kërkuar nga stafi që të sakrifikojmë pagat tona që të mos bien shërbimet. Kam gjetur mirëkuptim të mirë dhe kemi ardhur në situatë që pagat tona t’i sakrifikojmë dhe këtë obligim financiar që na ka ofruar që pagesën ta bëjmë me këste”, ka deklaruar Istrefi në Interaktiv.

“Do të marrim vendim që të zvogëlojmë pagat dhe këtë obligim 6.1 milionë euro ne do ta kryejmë çdo muaj që të ecim çdo muaj”, ka thënë ai duke shtuar se ka kërkuar që për vete t’i zvogëlohet paga 50 për qind. Paga e tij bruto është 5500 euro.

Për këtë marrëveshja ka shtuar se ishin të detyruar.