Kriza mund të ketë, por dialogu nuk ndërpritet

4 vite më parë

Kriza mund të ketë, por dialogu nuk ndërpritet

Seanca e rregullt e Kuvendit të Kosovës është ndërprerë një ditë më herët në shenjë pakënaqësie me vendimin e Gjykatës franceze për shtyrje të vendimit për liderin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), deri më 6 prill.

Kërkesën për shtyrje të kësaj seance e paraqiti shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Zenun Pajazit, propozim i cili gjeti mbështetje edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).

Ndërsa, para këtij vendimi të Pajazitit salla e Kuvendit u zbraz nga deputetët e opozitës në shenjë revolte ndaj drejtësisë franceze për veprimet e saj karshi ish-kryeministrit Haradinaj.

Kjo seancë e ndërprerë do të vazhdojë të hënën prej orës 10:00, kështu i ka njoftuar deputetët nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti.

Gjatë seancës opozita i bëri kërkesë shefit të Qeverisë që t’i ndërpresë bisedimet me Serbinë, kjo kërkesë erdhi pas vendimit të Gjykatës Franceze për moslirimin e z. Haradinajt. I pari i ekzekutivit nuk i është përgjigjur pozitivisht kësaj kërkese të opozitës,  pasi që Mustafa ka theksuar se duhet hapur tema të reja në dialogun Prishtinë – Beograd, si dhe, siç është shprehur ai, bisedimet përfundojnë vetëm me njohjen reciproke të të dyja republikave.

“Janë disa tema që duhet të përfundohen atje dhe procesi i dialogut duhet të përmbyllet me njohjen e dy shteteve, me Demarkacionin në mes të Kosovës dhe të Serbisë, me respektimin e fqinjësisë së mirë dhe me ndarjen e pasurisë nga koha e ish-Jugosllavisë”, ka potencuar Mustafa.

Më tej ai ka thënë se do të kërkohet garanci nga Bashkimi Evropian për çështjen e të pagjeturve. “Ne kemi shtruar edhe më parë çështjen e të pagjeturve ku ne do të kërkojmë garanci nga BE-ja për personat e pagjetur dhe lokacionin e varrezave, do të kërkojmë edhe hapjen e arkivave të ushtrisë pasi që po bëhen gërmime dhe nuk po gjenden njerëzit”, ka thënë Mustafa. Duke siguruar se do të hapet edhe çështja e pensioneve dhe kthimi i dispozitave. “Do të hapet çështja e pensioneve dhe kthimi i depozitave, dëmshpërblimet e luftës, vrasjet e njerëzve, trashëgimia kulture dhe dëmshpërblimet nga dëmet fizike në prona private dhe në ato publike si pasojë e veprimeve të Serbisë”, ka deklaruar kryeministri.

Ndryshe, sipas Mustafës, formati i bisedimeve Prishtinë – Beograd do të bëhet në koordinim me presidentin Thaçi dhe kryetarin e Kuvendit, Kadri Veselin. “Se si do të jetë formati i dialogut do ta trajtojmë me presidentin dhe kryeartin e Kuvendit, pjesa dërmuese e çështjeve që dialogohen atje janë qeveritare, por ne do të bëjmë përpjekje që dialogu të jetë sa më transparent”, ka përfunduar ai./Zëri