Krasniqi: SHBA dhe NATO s’duhet të na lënë shtet sakat përgjithmonë

4 vite më parë

Krasniqi: SHBA dhe NATO s’duhet të na lënë shtet sakat përgjithmonë

Njohësi i çështjeve politike në vend, njëherësh profesor në Universitetin e Prishtinës, Milazim Krasniqi ka shprehur përkrahjen e tij për formimin e Ushtrisë së Kosovës dhe ka theksuar qëndrimet e tij rreth qasjes së partnerëve të vendit, SHBA-së dhe NATO-s.

Sipas Krasniqit, formimi i ushtrisë së Kosovës, nuk e prishë aspak partneritetin me SHBA e NATO. Përkundrazi, sipas tij e forcon krahun jugor të NATO-s dhe pengon rikthimin e Rusisë.

“Kjo qasje për forcimin e shtetit dhe të kombit tonë, ku futet edhe formimi i ushtrisë së Kosovës, nuk e prishë aspak partneritetin me SHBA e NATO. Përkundrazi, e forcon krahun jugor të NATO-s. E pengon rikthimin e Rusisë në ujërat e ngrohta të Adriatikut”, ka shkruar Krasniqi në Facebook, transmeton Aktivpress.

Krasniqi ka theksuar se SHBA dhe NATO, nuk duhet të na lënë saktat përgjithmonë, më gjithë mirënjohjen siç thotë ai që do të kemi për ta gjithë jetën për çlirimin dhe pavarësimin e vendit.
“Një gjë duhet të thuhet qartë edhe më këtë rast: SHBA dhe NATO-ja na kanë ndihmuar në mënyrë vendimtare për çlirimin dhe pavarësimin e vendit, për çka ne u jemi mirënjohës gjithë jetën. Por, kjo nuk do të thotë se duhet të na lënë shtet-sakat përgjithmonë, duke mos pasur ushtrinë për ta mbrojtur edhe vetë vendin tonë nga agresioni i mundshëm, i atyre që përditë thonë se do të na ripushtojnë e do të na shkatërrojnë. Sikundër dihet, SHBA gjatë Luftës së Dytë Botërore, ka ndihmuar çlirimin e shumë shteteve të sotme të Evropës, por pastaj i ka lënë të konsolidojnë sovrantitetin shtetëror, natyrisht edhe me ushtritë e tyre. Nuk ka arsye të jemi ne përjashtim prej këtij rregulli”, ka shkruar Krasniqi.

Ai ka shtuar se politikanët të cilët po shfaqin huti në lidhje me krijimin e ushtrisë dëshmojnë sipas tij degradimin në kokat e tyre për idenë e shtet ndërtimit.

“Hutia që po shfaqin një pjesë e politikanëve lidhur me transformimin e FSK në ushtri, dëshmojnë se sa ka degraduar në kokat e tyre ideja e shtetndërtimit. Përndryshe, nëse besojnë se jetojnë në një shtet që quhet Kosovë, duhet të jenë gjithmonë të gatshëm për formimin e ushtrisë së tij. Edhe n’pikë të natës, si thuhet! (Bile vonesa kaq e gjatë, vetvetiu flet për deficitin e derisotëm të vullnetit politik në konsolidiin e plotë të shtetit tonë.)”, ka shkruar ndër të tjerash Krasniqi.

Krasniqi ka theksuar se ata që janë të hutuar për formimin e ushtrisë duhet  siç thotë të kthjellohen nga deklarata e djeshme e Sheshelit.

“Por, ata që janë ende të hutuar, mund të kthjellohen edhe nga kjo që tha dje Vojisllav Shesheli: “Me ndihmen e Rusisë, do ta kthejmë Kosovën nën Serbi”. Pra, rrugë tjetër nuk ka, o njerëz: ose forcimi i shtetit tonë (dhe i kombit tonë) ose rreziku të na gllabërojë një ditë Serbia”, ka përfunduar ai./Aktivpress