Krasniqi: Azem Vllasi, “dëm kolateral” i një skenari anarkofashist

4 vite më parë

Krasniqi: Azem Vllasi, “dëm kolateral” i një skenari anarkofashist

Publicisti, Milazim Krasniqi e ka konceptuar sulmin mbi avokatin Azem Vllasi, si “dëm kolateral” i një skenari të errët anarkofashist.

Sipas tij, ky akt pasqyron fytyrën e vërtetë të anarkofashizmit, të pandëshkuar ndër vite nga drejtësia dhe nga shoqëria jonë.

Ja cka shkruan ligjëruesi universitar në profilin e tij në Facebook.

“Mosndëshkimi ndër vite nga drejtësia po as nga shoqëria i thirrjeve për dhunë dhe i dhunës, një ditë pashmangshëm do ta prodhonte edhe krimin morbid, si ky që ndodhi sot ndaj Azem Vllasit. Kjo është fytyra e vërtetë e anarkofashizmit, të pandëshkuar ndër vite nga drejtësia dhe nga shoqëria jonë. Azem Vllasi duket vetëm “dëm kolateral” i një skenari të errët anarkofashist, që fillon me instalimin e frikës dhe të terrorit. Paçka se ky skenar është direkt në shërbim të dështimit të shtetit tonë. Për më tepër, edhe të turpërimit të shqiptarëve të Kosovës, sepse ngritja dorë ndaj Azem Vllasit, të cilin Millosheviqi nuk arriti ta thyente, prandaj u detyrua ta dërgonte në burg, është njollë për të gjithë ne. Nëse edhe kësaj here shteti nuk vepron, atëherë planet ogurzeza të anarkofashistëve mund të bëhen realitet.”/AktivPress