Kosovë, pritjet ekonomike pas zgjedhjeve të reja

3 javë më parë

Kosovë, pritjet ekonomike pas zgjedhjeve të reja

Ekonomistët në Kosovë thonë se qeveria e re që pritet të dalë nga zgjedhjet e 14 shkurtit duhet të vazhdojë reformat ekonomike dhe të forcojë sundimin të ligjit për të mundësuar rritjen ekonomike të vendit.

Ata tërheqin vërejtjen se partitë politike po premtojnë investime të mëdha për rimëkëmbjen ekonomike pas situatës me pandeminë e Covid-19 dhe për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka tha në një bisedë me Zërin e Amerikës se bizneset në vend kanë pritshmëri të larta nga një qeveri e re në mbështetje të tyre, por ka mëdyshje në përmbushjen e tyre.

“Edhe kësaj radhe pritshmëritë tona janë të larta, tashmë kombinohen me nevojën e përqendrimit të një energjie më të madhe në rimëkëmbjen ekonomike pas shpërthimit të pandemisë Covid-19 të cilën nuk e kemi parë gjatë vitit 2020 pavarësisht nevojave të mëdha po të njejtën kohë edhe vazhdimin e reformave legjilative në mjedisin e të bërit biznes, fuqizimin e sundimit të ligjit, rritjen e zbatueshmërisë së zbatimit të kontratave, rritjen e efikasitetin e gjyqësorit që është parakusht për tërheqjen e investitorëve të huaj dhe ofrimin e një sigurie më të madhe juridike për ta”, tha zoti Zeka.

Zeka thotë se programet e partive politike më tepër janë të përqendruara në numra të lartë qoftë sa u përket premtimeve për vende të punës apo zotimeve për miliarda euro investime.

“Megjithatë duhet potencuar se që investimet nga sektori publik nuk janë investime të qëndrueshme edhe ne duhet të orientohemi në tërheqjen e investimeve të jashtme si të vetmet investime që mund të garantojnë një zhvillim më të gjatë ekonomik për vendin edhe nxitjen e investimeve të brendshme, e këtu pastaj partitë politike nuk ofrojnë plane konkrete se si arrijnë ta bëjnë”, tha ai.

Ish kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, thotë se zgjedhjet e shpeshta po e dëmtojnë Kosovën qoftë në qëndrueshmërinë e brendshme politike ashtu edhe në rrafshin ekonomik, ndërsa partitë politike po paraqesin programe për zhvillim ekonomik bazuar vetëm në teori.

“Nuk jetohet vetëm me teori, është koha për veprim praktikë dhe qytetari dëshiron të dijë cili kryeministër dhe si do të zgjidh problemet e ndërmarrjeve publike, ju po e shihni që sëmundje kancerogjene për Kosovën është Postë Telekomi i Kosovës, është trepça me një status të pazgjidhur apo në mëshirë të ndihmave sociale, ajnë ndërmarrjet tjera të cilat kërkojnë vërtet një azhuritet dhe në këtë drejtim vërtetë është një ngecje e kandidatëve për kryeministër që të adresojnë këto probleme, të cilat janë problemet kryesore”, tha ai.

Gërxhaliu thotë se një nga sfidat kryesore të vendit është reforma e administratës publike e cila sipas tij është e stërngarkuar dhe e politizuar, ndërsa partitë politike po paraqesin politika fiskale, për pagën minimale dhe buxhetin që sipas tij nuk mund të rregullohen pa një zhvillim të hovshëm ekonomik.

Ai thotë se parakusht për zhvillim ekonomik në rajon është edhe normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, një çështje që sipas tij, nuk po përmendet përgjatë fushatës zgjedhore.

“Ajo që më shqetëson më të tepër është fakti se nuk e pranojnë realitetin që Ballkani Perëndimor është peng i mungesës së dialogut kontruktiv mes Kosovës dhe Serbisë dhe pothuajse të gjtiha partitë në një farë forme e prekin shkarazi dhe nuk kanë një qasje konkrete dhe në këtë drejtim besoj që Kosova do të çirohet atëherë kur Serbia do të çlirohet nga Kosova dhe ajo ndodh vetëm përmes një dialogu që për fat të keeq mungon një guxim, mungon një unitet politik, mungon një qasje pro aktive e cila do ta mbaj peng Ballkanin Perëndimor në veçanti Kossovën dhe Serbinë në të ardhmen”, tha Gërxhaliu.

Zeka thotë ndërkaq se fuqizimi i sistemit të arsimit do të luajë rol të rëndësishëm për thithjen e investimeve të huaja dhe rritjen e atyre të brendshme

“Kosova megjithatë ka dështuar që të vënë burimet e saja natyrore në shërbim të zhvillimit ekonomik kështu që ekonomia që ne besojmë që Kosova mund ta shtyjë përpara është ekonomia e bazuar në dije, pork jo ekonomi e bazuar në dije nuk mund të fuqizohet asesi pa përmirësim rrënjësor të sistemit arsimor duke filluar prej ciklit më të ulët të arsimit, te arsimi i lartë edhe natyrisht aftësimi profesional”, tha Zeka.

Kosova do të mbajë më 14 shkurt zgjedhjet parlamentare, të pestat me radhë që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës. Që atëherë asnjë qeveri nuk ka arritur të përmbushë mandatin e plotë katër vjeçar, dhe kjo situatë sipas ekspertëve ndikon negativisht në zhvillimin ekonomik të Kosovës.