Kosovari që pikasi talentin politik të Ilir Metës

3 vite më parë

Kosovari që pikasi talentin politik të Ilir Metës

Historia ka ndryshuar për mirë në fund të shekullit që shkoi.

Të rinjtë që do të udhëhiqnin të majtën e re shqiptare, nuk do të asistoheshin më nga një serb si Miladin Popoviçi i vitit 1944, i cili ndihmonte të riun komunist Enver Hoxha, për të hedhur themelet e diktaturës.

Në fillim të viteve ’90 ishin kosovarët që e ndikuan politikën e re shqiptare postkomuniste. Një ndër ta është kosovari Haki Morina, i riu nga Klina që u bë aktiv në zhvillimet e para të FRESSH në vitet 1991-1992. Është detaj mjaft interesant që ndërthuret me fillimet politike të Ilir Metës.

Ishte detyruar të largohej nga Kosova për të shmangur burgosjen nga policia serbe. Kishte mbërritur në Shqipëri përmes maleve të thepisura të Tropojës! Ishte një ndër të rinjtë kosovar të aktivizuar në lëvizjet politike në Kosovë.

Kishte simpatizuar Marksin e Enverin por kur erdhi në Shqipëri, i kishte hedhur tutje për të përqafuar idetë socialdemokrate. U ndodh në Shqipërinë e vitit 1990 dhe ëndrra e tij ishte të bashkonte idealet kombëtare me ato socialdemokrate. Kjo ëndërr e Hakiut gjeti “konak” në selinë e rëndë të ish-KQ të PPSH.

“Pas ardhjes në Shqipëri, u drejtova në zyrat e PS-së së sapokrijuar, ku kërkova mbështetjen e kësaj partie, për të formuar një mekanizëm rinor, prosocialist! Natyrisht, që unë zotëroja, njohje bazë të teknikës organizative, për shkak të veprimtarisë së mëparshme politike në Kosovë!”. Atje pikasi si të ndryshëm ndër të tjerë, Ilir Metën.

“Tek Ilir Meta, më intrigoi më së shumti, qetësia e tij në komunikim! Pastaj potenciali intelektual dhe ekuilibri në vlerësimin e situatave politike, që po kalonte atëherë Shqipëria! Natyrisht, edhe fakti që ai ishte njëri nga përfaqësuesit e zgjedhur nga rinia studentore, në kërkesat politike që u shtruan gjatë procesit të përmbysjes së diktaturës komuniste! Mund të them lirishte se, si rrallëkush, atë e karakterizonte qetësia mahnitëse dhe mendimi i gdhendur politik, pa asnjë lloj ekstremizmi, në raport me ashpërsinë e madhe politike, që e sundonte në atë kohë shoqërinë shqiptare! Por, ajo çka e veçonte më së shumti, ishte fakti se kërkonte vazhdimisht përvojën time politike dhe rekomandimet, i vlerësonte dhe analizonte seriozisht, gjë që kjo, nuk ndodhte me të tjerët! Dua të them se, Ilir Meta, nuk ishte rast i shpeshtë, në atë kohë!”, rrëfen Morina./mapo

Haki Morina