Kosovari që luajti kundër Kosovës, Shqipërisë e Serbisë

4 javë më parë

Kosovari që luajti kundër Kosovës, Shqipërisë e Serbisë

Ka debutuar në përfaqësuesen A në ndeshjen ndaj Italisë, më 28 mars të vitit 2009. Por ndeshje të tjera me shumë mundësi ishin më shumë emocionale për sulmuesin kosovar, Fatos Beqiraj.

32-vjeçari nga Peja ka arritur në shifrën e 71 paraqitjeve dhe dhjetë golave për përfaqësuesen e Malit të Zi. Në disa prej këtyre ndeshjeve ishte edhe kapiten. Ai mban rekordin për numrin e ndeshjeve të luajtura për Malin e Zi. I dyti në listë është Elsad Zverotiq, që i ka luajtur 61 ndeshje prej vitit 2008 deri në vitin 2017. I treti në listë është Stefan Saviq me 54 ndeshje. Ka gjasë që edhe disa vite Beqiraj të jetë rekordmen për numrin e ndeshjeve për Malin e Zi.

Sa i takon numrit të golave, sulmuesi kosovar ndan vendin e tretë me Stefan Mugoshan. Stefan Jovetiq i ka 26 gola kurse Mirko Vuçiniq 17.

Golin e dhjetë Beqiraj e shënoi në ndeshjen e fundit, më herët, këtë muaj, ndaj Luksemburgut. Madje shënoi fare në fund nga penalltia për fitoren 1:0. Golin e dhjetë e kishte pritur që nga 1 shtatori i vitit 2017.

Beqiraj është shumë i vlerësuar në Mal të Zi, por po ashtu edhe në Kosovë. Është i vetmi futbollist nga Kosova që ka luajtur kundër Kosovës, Shqipërisë e madje edhe Serbisë, shkruan KOHA Ditore.

Ndaj Shqipërisë e kishte luajtur që ndeshjen e katërt të tij. Më 25 maj të vitit 2010 ishte aktivizuar në një miqësore të humbur 1:0 nga kuqezinjtë.

Ndaj Shqipërisë, Mali i Zi kishte luajtur edhe më vonë, por jo edhe Beqiraj. Ish-përzgjedhësi kroat i Malit të Zi, Zlatko Kranjçar, kishte deklaruar se Beqiraj ka refuzuar të aktivizohet si rezervist ndaj Shqipërisë. Në fakt Beqiraj kishte ankesa për tretmanin që kishte nga Kranjçari.

“Beqiraj nuk ishte në plan. Megjithatë, ndonëse ka refuzuar të hyjë në lojë në pjesën e dytë ndaj Shqipërisë, ndonëse ndaj Uellsit më është dashur, Beqirajn nuk e kam dënuar. Përkundrazi, i kam treguar se llogaris në të, porse tani duhet të bëj hap para te Dinamo”, kishte thënë Kranjçar në një intervistë në vitin 2011.

Ai e kishte pasur fjalën për ndeshjen e 10 gushtit të vitit 2011, në të cilën Beqiraj nuk ishte aktivizuar. Janë këto dy ndeshjet e vetme të Malit të Zi me Shqipërinë.

Dy ndeshje Mali i Zi i ka edhe me Serbinë. Në njërën prej tyre Beqiraj është aktivizuar për 79 minuta. Bëhet fjalë për ndeshjen e Ligës së Kombeve, të luajtur më 11 tetor të vitit 2018.

Ndërkohë ndaj Kosovës është aktivizuar në dy ndeshjet që i ka luajtur Mali i Zi. Kosova e Mali i Zi ishin në të njëjtin grup në kualifikimet për “Euro 2020”. Në Podgoricë më 7 qershor të vitit të kaluar ndeshja përfundoi 1:1, ndonëse Mali i Zi ishte në momentin më të keq të mundshëm. Në ditën e ndeshjet selektori serb i Malit të Zi dhe dy lojtarë serbë të kësaj përfaqësueseje refuzuan të paraqiten ndaj Kosovës. Kjo bëri “tërmet” te Mali i Zi, por Kosova megjithatë nuk mori fitore. Beqiraj në atë ndeshje jo të zakontë ishte kapiten i Malit të Zi dhe kompletoi ndeshjen.

Më 14 tetor të vitit të kaluar Kosova fitoi 2:0 në Prishtinë ndaj Malit të Zi, ndërsa Beqiraj u aktivizua në fillim të pjesës së dytë. Bindja e shumicës në stadium ishte se Beqiraj nuk e dha maksimumin ndaj Kosovës.

Por Beqiraj u respektua maksimalisht nga tifozët që kishin mbushur stadiumin. U duartrokit nga shikuesit, ndërsa duartrokitje kishte edhe në momentin kur u thirr emri i tij. Edhe deklaratat e tij ishin plot respekt.

Në të vërtetë Beqiraj kishte deklaruar se Malin e Zi e kishte zgjedhur pas konsultimit me drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës. Ai po ashtu kishte thënë se ish-përzgjedhësi Albert Bunjaki nuk e kishte llogaritur asnjëherë. Deklarata e tij nuk ishin mohuar asnjëherë.

“Ndeshje e veçantë për mua, pasi jam kthyer në Prishtinë pas disa vjetësh. Ishte një lojë shumë e vështirë, ndërsa Kosova fitoi me meritë. Më shumë e dëshiroi fitoren. I uroj suksese në ndeshjet e mbetura dhe dëshiroj që të kualifikohet për Evropian. Ne kishim telashe me lëndime që prej grumbullimit dhe u paraqitëm me disa mungesa. Por duhet pranuar se Kosova luajti një lojë fantastike dhe shumë të mençur. Me gjithë zemër do të jem tifoz i Kosovës, do t’i përcjell ndeshjet e saj dhe uroj që të kualifikohet”, kishte deklaruar Beqiraj pas ndeshjes në Prishtinë.

Beqiraj pritet të japë edhe më tutje kontribut për Malin e Zi. Dhe me paraqitje në fushë dhe me sjelljet vazhdon të fitojë respektin e të gjithëve. Pasi ka thyer barrierën e dhjetë golave, shpreson të shënojë edhe më shumë. Po ashtu të mbajë rekordin për numrin e paraqitjeve. Nuk ndodh shpesh që një futbollist nga një vend tjetër të mbajë rekordin për paraqitje te një përfaqësuese e futbollit.

Në nivel klubesh, Beqiraj tani është duke luajtur për Wisla Krakow në Poloni. Maccabi Netanya (Izrael), Mechelen (Belgjikë), Dynamo Moskë (Rusi), Dinamo Minsk (Bjellorusi), Changchun Yatai (Kinë), Dinamo Zagreb (Kroaci), Buduqnost (Mali i Zi), Besa e Shqiponja, janë ish-klubet e tij. Kulmin e ka prekur te Dinamo e Zagrebit.