Kosovarët, 3 miliardë euro kredi në banka

1 muaj më parë

Kosovarët, 3 miliardë euro kredi në banka

Norma mesatare e interesit për kredi në bankat komerciale në Kosovë është 6.3 për qind, kurse norma e interesit për depozita është 1.2 për qind. Vlera e kredive në këto institucione tashmë ka arritur në rreth 3 miliardë euro, ndërsa vlera e depozitave (kursimeve) në rreth 3.5 miliardë euro.

Eksperti tjetër për çështje financiare, Hekuran Murati, thotë për REL se me gjithë faktin se bankat komerciale në Kosovë, viteve të fundit kanë ulur normat e interesit për kredi, ato kanë shtrenjtuar çmimin e tarifave për klientët e tyre, duke shtuar se ky veprim ka mbajtur stabil fitimin e tyre.

Reflektimi tjetër që ka ndodhur në fitimin e bankave, sipas tij, është se bankat kanë mbyllur disa sportele dhe kanë vendosur aparate elektronike për kryerjen e shërbimeve, transmeton AktivPress.

“Shumë banka kanë mbyllur disa degë dhe kjo ka reflektuar në uljen e kostos. Po në të njëjtën kohë ka pasur ulje të kamatave të depozitave që ajo po ashtu ka reflektuar në uljen e normës së interesit. Mirëpo diferencën në mes kredive dhe depozitave e kanë mbajtur njëjtë. Në të njëjtën kohë, bankat janë bërë më efiçiente, kjo ka ndikuar që të rritet profitabiliteti”, tha Murati.

Disa banka komerciale në Kosovë, para disa vitesh, kanë mbyllur disa sportele dhe kanë vendosur aparate elektronike për kryerjen e shërbimeve. Kjo sipas zyrtarëve të bankave, ka ndodhur për shkak të zvogëlimit të përdorimit të parasë se gatshme dhe që klientët mos të presin në radhë para sporteleve.

Tashmë bankat po kërkojnë nga klientët që shumë shërbime t’i kryejnë vetë në bankomate si dhe me e-banking./REL/AktivPress