Kosova, vendi i vetëm në rajon pa shtesa të fëmijëve

1 muaj më parë

Kosova, vendi i vetëm në rajon pa shtesa të fëmijëve

Kosova është i vetmi vend në rajon i cili nuk aplikon shtesat për fëmijë. Një rezolutë e Kuvendit të Kosovës e vitit 2018, e cila kërkon nga qeveria të hartojë legjislacionin për ndarjen e këtyre mjeteve finaciare për fëmijët, nuk është realizuar deri më tani.

Ndarja e shtesave për fëmijë ishte kërkuar të fillojë gjatë vitit 2019. Ndërkaq, shuma mujore duhet të kategorizohet duke marrë parasysh kriteret përkatëse, si të hyrat familjare, punësimin e prindërve dhe moshën e fëmijëve.

Në atë kohë, deputetët e Kuvendit të Kosovës kishin rekomanduar që shuma mujore e shtesave për fëmijë të jetë prej 10 euro dhe të përfshijë fëmijët nga mosha 0 deri në 16 vjeç dhe nga kjo ishte llogaritur ta përfitojnë rreth 500 mijë fëmijë.

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, në një përgjigje dërguar Radios Evropa e Lirë, thotë se kanë vlerësuar se zbatimi i kësaj rezolute do të krijonte një kosto prej rreth 60 milionë euro në vit, dhe si e tillë është e papërballueshme për buxhetin e shtetit.

Buxheti i Kosovës i vitit 2019, kur ishte kërkuar të fillonte ndarja e shtesave për fëmijëve kishte vlerën e mbi 2 miliardë euro. Një vlerë të njëjtë buxheti i Kosovës kishte edhe në vitin 2020.

Në pamundësi buxhetore për të shpërndarë shtesa për të gjithë fëmijët në Kosovë, në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, thonë se është përzgjedhur opsioni që do të përfshijë zbatimin e shtesave prej 10 euro për fëmijë deri në moshën 18 vjeçare, por vetëm për familjet që janë pjesë e skemës së ndihmës sociale. Një koncept-dokument i tillë tashmë është aprovuar nga qeveria, më 14 shtator.

“Me aprovimin e këtij koncept-dokumenti, do të hartohet Ligji i ri i skemës së ndihmës sociale dhe me hyrjen në fuqi do të fillohet dhe me zbatimin e shtesave të fëmijëve, ku planifikohet të përfitojnë rreth 80 mijë fëmijë”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.

Por, të gjitha këto ndryshime ligjore për të përfituar këto mjete nuk ka ndonjë datë se kur mund të ndodhin.

Ministria e Punës nuk jep përgjigje nëse është planifikuar ky shpenzim në buxhetin e vitit 2021.

Derisa Kosova ende nuk ka asgjë definitive për shtesat e fëmijëve dhe se për këtë ende pritet të hartohet legjislacion dhe të përcaktohen mënyrat e financimit, vendet e rajonit e kanë të rregulluar këtë çështje.

Mali i Zi aplikon shtesa për fëmijët në vlerë prej 23 euro deri në 40 euro, Serbia nga 25 deri në 46 euro, Bosnje e Hercegovina prej rreth 17 euro deri në 40 euro, varësisht nga vendi ku jetojnë. Po ashtu, edhe Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut aplikojnë shtesat për fëmijë.

Koalicioni i Organizatave Joqeveritare për Mbrojtjen e Fëmijëve, KOMF, që nga viti 2015 ka kërkuar që në skemat sociale të përfshihen edhe shtesat për fëmijë.

Klevis Vajçari nga kjo organizatë, thotë për Radion Evropa e Lirë se shtesat për fëmijë përveç tjerash do të ndihmonin edhe në zbutjen e varfërisë.

“Sa i përket modelit do të duhet që kjo shtesë për fëmijë të jetë për të gjitha fëmijët, të gjitha kategoritë. Shteti i Kosovës duhet të analizojë pa dëmtuar buxhetin dhe të aprovojë një model. Modeli më i mirë është të ofrohen shtesa për të gjithë fëmijët nga 0 deri 18 vjeç”, thotë ajo.

Nismën për shtesat e fëmijëve e pati iniciuar deputetja e Kuvendit të Kosovës nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj- Bujupi.

Në një pronocim për Radion Evropa e Lirë, ajo thotë se ka kërkuar së fundi edhe nga kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, që të jepen detaje se kur mund të realizohet ndarja e shtesave për fëmijë.

“Ndarja e shtesave për fëmijë duhet të ndodh. Ky do të ishte një hap i duhur sidomos tani në kohë pandemie kur nevojat për përkrahje shtetërore janë rritur, pasi që kriza ekonomike e sociale është thelluar si pasojë e gjendjes në të cilën jemi tash e 6 muaj”, thotë ajo, duke shtuar se do të vazhdon të përkushtohet derisa kjo rezolutë për shtesat e fëmijëve të zbatohet në tërësi.

Të gjitha qeveritë e Kosovës nga viti 2018, kishin premtuar se do të realizonin këtë rezolutë dhe do të mundësonin shtesat e fëmijëve.

Qeveria aktuale me kryeministër Avdullah Hoti, në programin qeverisës në pikën e 13 ku flitet për mbrojtjen sociale, ka paraparë edhe shtesat për fëmijë.