Kosova po përgatitet për rritje të rasteve me COVID-19

1 muaj më parë

Kosova po përgatitet për rritje të rasteve me COVID-19

Në 10 ditët e fundit në Kosovë është vërejtur një rritje e lehtë e numrit të të infektuarve me koronavirus, e që e shkakton sëmundjen e COVID-19.

Nga 12 deri më 21 tetor, janë regjistruar 1,084 raste të reja me COVID-19, kurse 10 persona kanë vdekur.

Valbon Krasniqi, ushtrues detyre i drejtorit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë, tha se janë duke i bërë përgatitjet e duhura për tu përballur me një valë tjetër me sëmundjen e COVID-19.

Në objektin e Klinikës Emergjente tashmë po parashihet të futen rreth 500 shtretër për të sëmurët.

Radio Evropa e Lirë: A ka rritje të numrit të personave që po kërkojnë hospitalizim nga koronavirusi e që e shkakton sëmundjen e COVID-19?

Valbon Krasniqi: Javën e fundit kemi vërejtur një rritje të lehtë të pacientëve që po kërkojnë hospitalizim nëpër klinika. Në fillimin të muajit tetor kishim rreth 150 pacientë të shtrirë në klinika të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës dhe spitale të përgjithshme, derisa tani ky numër ka shkuar në mbi 200.

Radio Evropa e Lirë : Sa është përgatitur vendi për një valë të re të rritjes së numrit të të infektuarve me koronavirus?

Valbon Krasniqi: Sa i përket përgatitjeve që Qendra Klinike Universitare i ka bërë, jemi duke u përgatitur në tri drejtime. Në radhë të parë në rritjen e kapacieteve humane, shtimin e resurseve humane, siç e dini Ministria e Shëndetësisë ka punësuar rreth 200 profesionistë shëndetësorë e që tashmë ju ka zgjatur kontrata edhe për tre muaj, po ashtu këtyre ditëve janë lëshuar kontratat edhe për 350 profesionistë përmes projektit të Bankës Botërore.

Radio Evropa e Lirë : Sa i përket pjesës infrastrukturore, si qëndroni? Është rritur numri i shtretërve në rast të rritjes së numrit të hospitalizuarve?

Valbon Krasniqi: Sa i përket infrastrukturës, përgatitjeve në këtë drejtim, Ministria e Shëndetësisë ka marrë vendim që objekti I klinikës emergjente të adaptohet për nevojat e pacientëve me COVID-19, ku janë paraparë rreth 500 shtretër, sa edhe është vlerësuar se ka hapësirë, ndërkohë që ne jemi në përfundim të punimeve në objektin e mjekësisë sportive, ku do të kemi shtretër shtesë dhe jemi në proces të zgjerimit të rrjetit me oksigjen dhe furnizimit të pajisjeve me oksigjen për gjitha spitalet në Kosovë.

Radio Evropa e Lirë : Si qëndroni me furnizim me barna dhe oksigjen?

Valbon Krasniqi: Sa i përket furnizimeve me barna, ato që janë të parapara me udhërrëfyesin e protokoleve klinike, shumicën tashmë i kemi siguruar, po ashtu kemi marrë donacion një lloj ilaçi që trajtohen pacientët me COVID-19, nga Qeveria e Japonisë, derisa Ministria e Shëndetësisë është duke zhvilluar procedurat për blerje të llojeve të ilaçeve, derisa për të tjera , QKUK ose ka lidhur kontratë ose është në procedurë të lidhjes së kontratave të reja për furnizim, aty ku ka mungesa. Me këto kapacitete dhe mundësi që i kemi, mendoj se jemi përgatitur mirë.