Kosova merr 46 milionë euro kredi për ta luftuar pandeminë COVID-19

5 muaj më parë

Kosova merr 46 milionë euro kredi për ta luftuar pandeminë COVID-19

Ministria e Financave, Hykmete Bajrami, ka nënshkruar të hënën marrëveshjen e kredisë me Bankën Botërore, përmes Asociacionit Zhvillimor Ndërkombëtar, në vlerë prej 46 milionë euro për “Projektin Emergjent COVID-19 për Kosovën”.

Kjo është bërë e ditur përmes një komunikate nga Ministria e Financave. Sipas komunikatës, mjetet financiare do të destinohen në parandalimin, zbulimin dhe reagimin ndaj kërcënimit të paraqitur nga COVID-19. Ndër të tjera do të mundësohet sigurimi i pajisjeve mjekësore dhe forcimi i sistemit shëndetësor publik, duke i rritur kapacitetet e testimit. Do të mundësohet edhe zgjerimi i kapacitetit të Klinikës së Sëmundjeve Infektive.

“Në kuadër të kësaj kredie do të mbështeten skemat e ndihmave sociale dhe amvisëritë sipas Pakos së kaluar dhe Programit për Rimëkëmbje Ekonomike të Qeverisë së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Financave.

Asociacioni Zhvillimor Ndërkombëtar, si pjesë e Bankës Botërore, është institucion kredidhënës, i cili përmes huadhënies në kushte më të favorshme sesa të tregut financiar, synon të ndihmojë ndër të tjera reduktimin e varfërisë dhe përmirësimin e kushteve jetësore.

“Projekti…” është arritur në bashkëpunim te Ministrisë së Financave dhe të Shëndetësisë me Bankën Botërore.

AKTIV PRESS