Kosova, Maqedonia, Gjeorgjia e Bjellorusia: Kush ka gjasat më të mëdha për kualifikimin në Euro 2020?

3 javë më parë

Kosova, Maqedonia, Gjeorgjia e Bjellorusia: Kush ka gjasat më të mëdha për kualifikimin në Euro 2020?

Kombëtarja e Kosovës ka humbur shansin që të kualifikohet në Euro 2020 përmes eliminatoreve, por ëndrrën e saj do ta vazhdojë përmes Ligës së Kombeve. Kosova mbylli eliminatoret në pozitën e tretë, për të vazhduar tashmë një tjetër rrugëtim, me ëndërr të njëjtë – Euro 2020.

Dardanët e udhëhequr nga Bernard Challandes ‘humbën’ një betejë të rëndësishme, atë të kualifikueseve, duke u renditur në pozitën e tretë në grupin A, për të mos siguruar biletën për finalet e evropianit. Ata tashmë vazhdojnë luftën e tyre në Ligën e Kombeve, ku do të  duhet të fitojnë dy beteja mjaft të vështira, shkruan lajmi.net.

Emrin e kundërshtarit të parë e kemi të mësuar – është Maqedonia Veriore, e cila do të jetë nikoqire e jona, në muajin mars, për duelin e parë. Bernard Challandes udhëtoi dhe përcolli nga afër kundërshtarin e gjysmëfinales së Ligës së Kombeve, duke u shprehur i qetë pas ndeshjes që pa.
Në rast se Kosova do të merrte një fitore ndaj fqinjve jug-lindorë, atëherë do të përballej me fituesin e çiftit Gjeorgji – Bjellorusi.

Por, si qëndrojnë këto tri skuadra në raport me Kosovën. Cilat janë statistikat e tyre nga eliminatoret e Euro 2020 dhe nga Liga e Kombeve. Kush kombëtare duket më e frikshme? Më poshtë lajmi.net ua përcjell statistikat kryesore të këtyre skuadrave.

Maqedonia Veriore:

Eliminatoret e Euro 2020 – Maqedonia Veriore ishte pjesëtare e grupit G, në kualifikueset e Euro 2020. Maqedonasit nuk arritën të merrnin biletën për të kaluar tutje, duke u renditur pas kombëtareve si Polonia (lidere) dhe Austria (pozita e dytë). Maqedonia Veriore arriti të grumbullonte 14 pikë nga 10 ndeshje të luajtura, për pozitën e tretë. Gol-diferenca e tyre shënon -1, me 12 gola të shënuara dhe 13 të pësuara.

Fitorja e parë e maqedonasve vinte kundër Letonisë, të cilnën e mposhtnin me rezultatin 3:1, para se të futeshin në një seri negative, ku merrnin barazim me Slloveninë (1:1), humbje ndaj Polonisë (0:1), humbje ndaj Austrisë (1:4) dhe barazim me Izraelin (1:1), shkruan lajmi.net.

Ata ktheheshin tek fitorja përsëri në ndeshjen kundër Latvisë, të cilën e mposhtnin 0:2. Maqedonasit merrnin hakun edhe ndaj Sllovenisë, ku luanin 2:1, për t’u mposhtur përsëri ndaj Polonisë (2:0) dhe Austrisë 2:1. Rrugëtimi i tyre u mbyll me fitoren ndaj Izraelit, me rezultat minimal 1:0.

Maqedonia në Ligën e Kombeve: Maqedonia e Ligës së Kombeve ishte diçka më e mirë sesa ajo e eliminatoreve. Maqedonia numëronte 15 pikë nga gjashtë ndeshje të luajtura në këtë kompeticion, me një gol-diferencë 9, me 14 të shënuara dhe 5 të pranuara. Skuadra e Maqedonisë merrte pesë fitore dhe vetëm një humbje. Armenia, Gjibraltari dhe Lihtenshtajni ishin kundërshtarët e tyre në këtë garë.

Nga këto rezultate mund të shohim se Maqedonia do të jetë një kockë e vështirë për t’u thyer për Dardanët tanë, sidomos nëse marrim parasysh rezultatet e Maqedonisë Veriore kur luan si vendase, ku në Ligën e Kombeve nga tri ndeshje fitoi maksimumin e pikëve (9), duke shënuar 10 gola e duke pësuar vetëm 1.

Tani, le t’i hedhim një sy formës së Gjeorgjisë në rrugëtimin e tyre të deritanishëm, drejt Euro 2020. Gjeorgjia luajti një kampanjë të mirë edhe në eliminatore, por kishte një grup mjaft të vështirë.

Gjeorgjia:

Eliminatoret e Euro 2020 – Gjeorgjia e mbylli rrugëtimin e saj në eliminatoret e Euro 2020 në pozitën e katërt të grupit D, grup ku luanin edhe Zvicra, Danimarka, Irlanda e Gjibraltari.
Gjeorgjia numëronte 8 pikë pas 9 ndeshjeve, duke regjistruar dy fitore, dy barazime dhe katër humbje, me një gol-diferencë -4, me 7 gola të shënuara dhe 11 të pranuara.
Rrugëtimi i tyre niste me dy humbje; ndaj Zvicrës, me rezultatin 0:2, si dhe ndaj Irlandës me rezultatin 1:0, shkruan lajmi.net.

Gjeorgjia kthehej në rrugën e fitores kur triumfonte 3:0 ndaj Gjibraltarit, kurse menjëherë pas asaj fitore, Danimarka e shkatërroi kombëtaren e Gjeorgjisë, duke e mposhtur me rezultatin 5:1, shkruan lajmi.net.
Gjeorgjia pastaj luante 0:0 me Danimarkën, duke marrë pikë befasuese, para se t’i merrte një pikë edhe Irlandës, me po ashtu me rezultatin 0:0. Ata merrnin përsëri tri pikë kundër Gjibraltarit, duke fituar 2:3 në udhëtim, kurse Zvicra mbeti e paprekur nga ta, duke fituar edhe në ndeshjen e fundit me rezultatin 1:0.

Gjeorgjia e Ligës së Kombeve:

Gjeorgjia pati një rrugëtim fantastik në Ligën e Kombeve, rrugëtim ky që i siguroi paraqitjen në gjysmëfinalen e këtij kompeticioni. Kjo kombëtare morri pozitën e parë në grupin 1 të Ligës D, për të vazhduar në fazën e ‘play-off’. Gjeorgjia numëronte 16 pikë pas gjashtë ndeshjeve të luajtura, me pesë fitore dhe vetëm një parazim, si dhe një gol-diferencë prej 12 golave të shënuara dhe 2 të pranuarave. Kazakistani, Andorra dhe Letonia ishin kombëtaret që konkurruan me Gjeorgjinë në këtë grup. Në ndeshjet si nikoqire, Gjeorgjia morri tri fitore nga po aq ndeshje, me gjashtë gola të shënuara dhe vetëm një të pranuar, shkruan lajmi.net.

Pra, një finale me Gjeorgjinë, në stadiumin e tyre, do të jetë ndeshje e vështirë për Kosovën, ku Dardanët do të kenë nevojë edhe për ndihmën e fatit. Por, para kësaj, Gjeorgjia duhet të kalojë kundërshtarin e saj Bjellorusinë, ecurinë e së cilës lajmi.net ua përcjell më poshtë.

Bjellorusia:

Eliminatoret 2020 – Bjellorusia ka pasur një kampanjë jo edhe aq të mirë në kualifikueset e Euro 2020, por duhet pasur parasysh se ishin shortuar në një grup mjaft të vështirë, me dy superfuqi të futbollit evropian. Grupi C përbehej nga 5 kombëtare; Gjermania, Holanda, Irlanda Veriore, Bjellorusia e Estonia.

Kombëtarja e Bjellorusisë e mbylli kampanjën kualifikuese në opzitën e katërt, me katër pikë të fituara në tetë ndeshje të luajtura. Ata numëruan një fitore, një barazim dhe gjashtë humbje, duke shënuar katër gola dhe duke pësuar 16, shifra këto që flasin për një rrugëtim ‘të varfër’, shkruan lajmi.net.

Bjellorusia mposhtej 4:0 nga Holanda kur hapte kampanjën, për të vazhduar pastaj me humbje 2:1 nga Irlanda Veriore, si dhe me humbjen e tretë që vinte nga Gjermania (0:2). Rrugëtimi i tmerrshëm vazhdonte me ndeshjen që bjellorusët e luanin si vendas, ku mposhteshin 0:1 nga Irlanda Veriore.
Fitorja e parë në kampanjën kualifikuese të Bjellorusisë vinte në ndeshjen e 6 shtatorit, kur ata fitonin ndaj Estonisë, me rezultatin 1:2. Në ndeshjen e dytë me këtë kundërshtar, pikët ndaheshin nga rezultati 0:0. Bjellorusia e mbyllte kampanjën me humbjet ndaj Holandës 1:2 dhe Gjermanisë 4:0.

Bjellorusia ‘fantastike’ në Ligën e Kombeve – Bjellorusia e Ligës së Kombeve tregon një fytyrë krejtësisht tjetër nga ajo e eliminatoreve të Euro 2020. Bjellorusët e mbyllnin garën në Ligën e Kombeve në pozitën e parë të grupit 2 të Ligës D, me 14 pikë të fituara nga gjashtë ndeshje të luajtura, duke lënë prapa kombëtaren e Luksemburgut, atë të Moldavisë dhe San Marinon.

Bjellorusia shënoi katër fitore në gjashtë ndeshje, për të numëruar edhe dy barazime – pra ishte e pamposhtur në ndeshjet e Ligës së Kombeve. Ata shënuan 10 gola dhe nuk pësuan asnjë.
Ndeshjen e radhës ata do ta luajnë kundër Gjeorgjisë. Synimi i tyre është të mbesin të pamposhtur, dhe të mbajnë rrjetën e paprekur në Ligën e Kombeve.  Në rast se e bëjnë këtë, ata do të përballen me Kosovën, dhe statistikat na tregojnë se nuk mund të kemi punë të lehtë me këtë kombëtare, shkruan lajmi.net.

Por, si qëndron kombëtarja jonë para këtyre sfidave? Si erdhëm ne deri këtu? Më poshtë ua sjellim edhe një përmbledhje të ndeshjeve që Dardanët luajtën për të ardhur deri në këtë pikë.

Kosova:

Eliminatoret e Euro 2020: Ëndrra e Dardanëve ishte që të merrnin një biletë për Euro 2020 nga kualifikueset e Euro 2020, por një gjë të tillë nuk e arritën, pasi para tyre u kualifikuan kombëtarja e Anglisë dhe ajo e Çekisë. Kosova e mbyllte kampanjën e kualifikueseve të Euro 2020 në pozitën e tretëm ne 11 pikë të fituara pas 8 ndeshjeve të luajtura.

Dardanët morrën 3 fitore, 2 barazime dhe tri humbje, duke shënuar 13 gola dhe duke pësuar 16, duke qenë kështu të mangët për të kapur biletën për Euro 2020, shkruan lajmi.net.

Kosova e Ligës së Kombeve – Liga e Kombeve mbetet shtegu i vetëm i Kosovës për të kapur trenin që dërgon në Euro 2020. Dardanët në këtë garë fitonin grupin 3 të Ligës D, për të siguruar kalimin në gjysmëfinalen e këtij kompeticioni.
Kosova numëronte 14 pikë pas gjashtë ndeshjeve, duke shënuar katër fitore dhe duke numëruar dy barazime. Pra, qëndron e pamposhtur në këtë garë. Lojtarët e Bernard Challandes kanë shënuar 15 gola dhe kanë pësuar vetëm dy në këtë kompeticion.

Lojtarët e Kosovës tashmë i presin sfida më të vështira. Fillimisht luajnë për fitoren në Maqedoni, duke synuar pastaj fitoren kundër Bjellorusisë/Gjeorgjisë.

Nëse mbledhim pikët dhe golat e shënuara nga dy kompeticionet (Kualifikueset 2020 dhe Liga e Kombeve), atëherë katër kombëtaret do të renditeshin kështu në një tabelë të vetme:

Maqedonia Veriore 29 pikë (dy ndeshje më shumë të luajtura në eliminatore – në raport me tri kombëtaret tjera)
Kosova: 25 pikë
Gjeorgjia: 24 pikë
Bjellorusia: 18 pikë

Pra, në rrugëtimin e deritanishëm, Kosova ka bërë ecje më të mirë sesa tri kombëtaret tjera që luajnë në gjysmëfinalet e Ligës D, në Ligën e Kombeve. Shpresojmë që Kosova të tregohet më e mirë edhe në fazën e ‘play off’.

Gjysmëfinalet e Ligës së Kombeve do të luhen në muajin mars, muaj ky kur Kosova synon të marrë biletën për Kampionatin Evropian 2020. Ëndrra vazhdon. Kosova lufton. /Lajmi.net/TG/