“Kosova ka përfituar ekonomikisht dhe politikisht nga taksa”

7 muaj më parë

“Kosova ka përfituar ekonomikisht dhe politikisht nga taksa”

Kosova ka përfituar ekonomikisht nga taksa, thonë në Qeverinë e Kosovës. Haki Shatri, këshilltar ekonomik i kryeministrit Haradinaj, ka thënë se nga taksa 100 % kanë përfituar prodhuesit vendorë, me çka gjithnjë sipas tij u janë rritur kërkesat dhe normat, u është shtuar qarkullimi e u janë rritur të ardhurat. Sipas tij, përveç përfitimit ekonomik, ka pasur edhe përfitim politik.

“Në aspektin ekonomik mendoj se prodhimi vendor ka përfituar shumë. Kompanive prodhuese vendore brenda 3-4 muajve u janë rritur kërkesat dhe normat, e kanë rritur numrin e të punësuarve, e kanë shtuar qarkullimin dhe i kanë rritur të ardhurat, domethënë ka pasur efekte tepër pozitive për prodhuesit vendorë. Mirëpo në këtë rrafsh nuk është dëmtuar as konsumatori, sepse produktet e Serbisë janë zëvendësuar me kohë me mallra tjera të ngjashme”, ka theksuar Shatri për “Zërin”.

Në aspektin politik, ai tha se me vendosjen e taksës, Kosova ka treguar se mund të marrë vendime që janë në interes të vendit. Sa për heqje, a i tha se për këtë mund të bëhet fjalë kur të plotësohen kushtet e thëna më parë.

“Politikisht me vendosjen e kësaj takse Kosova i ka treguar botës se jemi shtet i pavarur dhe dëshirojmë që Serbia të sillet ndaj nesh me respekt si ndaj çdo shteti tjetër të pavarur. Prandaj para faktorit ndërkombëtar e kemi pranuar se ne e kemi këtë punë në dorë dhe konform Kushtetutës, Qeveria e Kosovës merr vendime të cilat i sheh që janë në interes të vendit. Prandaj nuk e kemi ndërmend ta heqim taksën derisa të plotësohen kushtet nga Serbia, të cilat Qeveria e Kosovës i ka përmendur shumë herë”, ka thënë Shatri.