Kosova i bashkohet Fondit të Inovacionit për Ndërmarrje – ENIF

2 vite më parë

Kosova i bashkohet Fondit të Inovacionit për Ndërmarrje – ENIF

Qeveria e Kosovës sot nënshkroi marrëveshjen për t’iu bashkangjitur Fondit të Inovacionit për Ndërmarrje (ENIF). Bashkimi i Qeverisë së Kosovës në fondin ENIF ngrit totalin e fondeve për investime për NVM-të me potencial teknologjik nga Ballkani Perëndimor për më shumë se 40 milionë euro.

Fondi ENIF menaxhohet nga ‘South Central Ventures’ dhe që nga shtatori i vitit 2015 është aktiv në Ballkanin Perëndimor. Portofoli i tij deri më sot përfshin 8 kompani të teknologjisë së lartë, e që në fazën fillestare treguan rritje të hershme, d.m.th. treguan një potencial të madh për rritje.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, me këtë rast, foli për mbështetjen që po jep Qeveria e Kosovës në zhvillimin e ndërmarrësisë. Ajo nënvizoi se “Qeveria e Kosovës përmes programeve të saja për mbështetjen e investimeve dhe eksportit; përmes Fondi Kosovar për Garantimin e Kredive, dhe tani përmes Fondit të Inovacionit për Ndërmarrjet, që është një nga shtyllat e Fondit për Ballkanin Perëndimor (WB EDIF) ka krijuar një kornizë të rëndësishme për qasje në financa për ndërmarrjet kosovare që nga faza e krijimit e deri tek rritja, zgjerimi, dhe rrugëtimi i tyre nëpër tregjet globale.

” Znj. Bajrami shtoi se “Qeveria e Kosovës përmes investimit në Fondin ENIF kontribuon drejtpërdrejt në mbështetje të krijimit të ndërmarrjeve të reja (start-up) me qasje inovative, duke ndihmuar kështu një shtresë të popullatës së re dhe të talentuar që të merren me krijimin e kompanive inovative me potencial të rritjes dhe depërtimit të shpejt në tregjet e huaja”, theksoi ajo.

Në anën tjetër, Tatjana Zabasu, Partnere menaxhuese në ‘South Central Ventures,’ foli për Investimin e Kosovës në fondin ENIF. “Ne kemi qenë aktiv gjithandej në Ballkanin Perëndimor, përfshirë edhe Kosovën, që nga themelimi i Fondit për Inovacion të Ndërmarrjeve në vitin 2015. Investimi në ENIF-në nga Qeveria e Kosovës është një kontribut i rëndësishëm, pasi tregon interesimin e saj për zhvillimin e një ekosistemi të favorshëm për teknologjinë e NVM-ve.

Ne shpresojmë të forcojmë edhe me tej mundësitë e investimeve në Kosovë, ku tashmë kemi parë një numër të kompanive premtuese dhe njerëz të talentuar me ide të shkëlqyeshme për biznes. Ne jemi të lumtur që jemi në pozitë, ku së bashku me mbështetjen e partnerëve të ENIF, të ndihmojmë disa prej tyre që ato të mund të shfrytëzojnë plotësisht potencialin e tyre,” përfundoi ajo.

Ndërsa Olivia Somers, përfaqësuese e Fondit Evropian për Investime (FEI), tha se “Jemi shumë të lumtur kur shohim se Kosova shton investimet në Fondin e Inovacionit për Ndërmarrje. Kjo tregon jo vetëm përkushtimin e Kosovës për mbështetjen e NVM-ve inovative, por edhe dedikimin e saj për të qenë partner i rëndësishëm në krah të partnerëve tjerë si FEI, Komisioni Evropian, BERZH, KfW, etj., për të ngritur bashkëpunimin dhe dialogun në mbështetje të zhvillimit të sektorit privat.”

Investitorët ekzistues të ENIF përfshijnë investitorët institucionalë, siç janë: Komisioni Evropian, Fondi Evropian për Investime (EIF), Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), dhe shtetet e Ballkanit Perëndimor nëpërmjet ministrive të tyre apo agjencive të NVM-ve, duke përfshirë edhe Agjencinë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), Agjencinë kroate HAMAG-BICRO, Qeverinë e Maqedonisë dhe Fondin për Investimeve dhe Zhvillim të Malit të Zi. Përveç kësaj, disa investitorë institucionalë dhe privatë tashmë i janë bashkuar Fondit që në fazën e parë, në shtator të vitit 2015.

Fondi ENIF është një shtyllë e strukturës ‘WB EDIF’ Mekanizmi për “Zhvillim të Ndërmarrjeve dhe Mbështetjen e Inovacionit në Ballkanin Perëndimor”, i krijuar nga Bashkimi Evropian me qëllim të përmirësimit të qasjes në financa për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në Ballkanin Perëndimor

Rreth WB EDIF

Mekanizmi për “Zhvillim të Ndërmarrjeve dhe Mbështetjen e Inovacionit në Ballkanin Perëndimor” (WB EDIF) promovon krijimin dhe rritjen e kompanive inovative me potencial të lartë, si dhe krijon tregun e përbashkët të kapitalit në rajon. Qeveritë e vendeve përfituese dhe donatorët kanë mbledhur një kapital fillestar prej 145 milionë eurosh, i cili mund të përkthehet në rreth 300 milion euro të vëna dispozicion për financim të drejtpërdrejt të NVM-ve në rajon.

Rreth ‘South Central Ventures’

‘South Central Ventures’ drejton menaxhimin e Fondit të EJL-së, duke menaxhuar kështu 40 milion euro të Fondit ‘ENIF.’ ENIF ka në fokus investimet në kompanitë e teknologjisë në Ballkanin Perëndimor dhe synon të mbështet zhvillimin e mëtejmë të ekosistemit teknologjik të kompanive të reja në gjithë rajonin, duke mbështetur kështu themeluesit e guximshëm që të sjellin bizneset e tyre në tregjet globale. SC Ventures është duke investuar në gjithë Ballkanin Perëndimor dhe ka zyrë në Beograd, Shkup dhe Zagreb.