“Kosova është çështje kryesore për integrimin evropian të Serbisë”

4 javë më parë

“Kosova është çështje kryesore për integrimin evropian të Serbisë”

Parlamentari sllovak Vladimir Bilçik, i cili mori përsipër detyrën e raportuesit për Serbinë në Parlamentin Evropian në vend të David McAllister, tha se përparësia e parë e tij ishte të fliste me parlamentarët në PE për atë që është bërë për të ndihmuar Serbinë në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian.

Ai njoftoi se së shpejti do të shkojë në Beograd ku do të organizojë edhe takime.

“Unë dua të jem një zë konstruktiv që mbështet ambiciet e Serbisë, por edhe një zë i drejtë dhe i hapur për detyrat që duhet të bëhen për të shtyrë çështjen e zgjerimit,” i tha ai N1.

Bilçik merr përsipër funksionin në një moment të ndjeshëm për marrëdhëniet midis Bashkimit dhe rajonit. Ai e quan vendimin për të mos hapur negociatat me Maqedoninë Veriore dhe Shqipërinë një gabim historik.

Sidoqoftë, është optimist që eurodeputetët do të jenë në gjendje të kundërveprojnë me ndikimin negativ që një vendim i tillë mund të ketë në rajon dhe të rikthejë besueshmërinë e tij në Union.

Bilçik deklaron për N1 se Kosova ishte, është, dhe do të mbetet një çështje kryesore për integrimin evropian të Serbisë, transmeton Klan Kosova.

“Kjo është arsyeja pse unë po them se ne kemi nevojë për përparim, ne kemi nevojë për të zhbllokuar negociatat midis Beogradit dhe Prishtinës,” tha ai. I pyetur nëse kjo ishte e mundur në këtë pikë, ai u përgjigj se “nëse zgjerimi i BE është qëllimi përfundimtar, atëherë ai duhet të jetë i mundur”.

Raportuesi i ri i PE-së për Serbinë thotë se rikthimi i besueshmërisë së unionit, por gjithashtu një angazhim serioz për procesin e zgjerimit mund të ndikojë pozitivisht në uljen e paqëndrueshmërisë së mundshme në rajon.