Kosova e BE-ja, dakordojnë 15 prioritete politike për zbatimin e MSA-së

1 muaj më parë

Kosova e BE-ja, dakordojnë 15 prioritete politike për zbatimin e MSA-së

Ditën kur Qeveria e ka shpërbërë taskforcën policore kundër korrupsion, ka miratuar edhe një dokument konfrontues me këtë vendimmarrje.

Ajo ka votuar pro Agjendës së re të Reformave Evropiane, top-prioritet i së cilës është luftimi i korrupsionit në nivelin e lartë.

Prioritetet e ERA 2 ishin negociuar nga Qeveria dhe Komisioni Evropian dhe janë finalizuar këtë muaj nga kryeministri i Kosovës dhe komisionari i Bashkimit Evropian për Politika të Fqinjësisë dhe Zgjerimit, raporton KOHA.

KOHA ka siguruar dokumentin e miratuar të hënën në Qeveri, i cili luftën kundër korrupsionit e ka vënë në krye të prioriteteve.

“Intensifikimi i punës në rastet e nivelit të lartë të korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke krijuar kështu performancë të fuqishme të gjithmbarshme në hetimin proaktiv, ndjekjes penale, dënimeve përfundimtare dhe konfiskimeve përfundimtare të pasurive të fituara me vepër penale, duke i kushtuar vëmendje të veçantë rasteve të transferuara nga EULEX-i”, thuhet në dokument.

Dokumenti përmban 15 prioritete politike për zbatimin e reformave kryesore që kërkon MSA-ja.

Në ERA 2 është dhënë zotimi edhe për intensifikimin e luftimit të krimit të organizuar, përmes rritjes së bashkëpunimit dypalësh me shtetet anëtare të BE-së, përfshirë përdorimin e ekipeve të përbashkëta hetimore në luftimin e shpëlarjes së parave.

Zëvendëskryeministri, Driton Selmanaj, ka treguar se miratimi i ERA 2 duhet të pasohet me përgatitjen e planit të veprimit, zbatimi i të cilit duhet të nisë nga viti i ardhshëm.

“Hartimi i Planit të Veprimit për zbatimin e këtyre prioriteteve do të jetë sfidë më vete, prandaj nevojitet vëmendje e veçantë e të gjitha institucioneve dhe mbikëqyrje e afërt nga të gjithë ministrat përgjegjës”, ka thënë Selmanaj.

Në mënyrë që t’u jepet prioritet reformave të pritura si pjesë e zbatimit të MSA-së, Kosova dhe BE-ja kanë vendosur në vitin 2016 procesin e ERA-s, i cili që nga atëherë është bërë mjeti kryesor udhëzues për institucionet vendore lidhur me reformat e kërkuara nga BE-ja.

ERA 1 e kishte përcjellë shkallë e ulët përmbushjeje e ngathtësi në zbatim.