“Kosova drejt kolapsit energjetik!”

3 vite më parë

“Kosova drejt kolapsit energjetik!”

Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK), përmes një konference për media ka kërkuar nga Qeveria të emëroj Bord të ri të KEK-ut që sipas tyre duhet të jetë profesional dhe jo politik, si dhe ka kërkuar që të shkarkohet urgjentisht menaxhmenti aktual si fajtori kryesor për ketë kolaps energjetik.

OAK ka prezantuar edhe rekomandimet për të dalë nga kriza energjetike, përcjellë AktivPress.

“Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) kërkon urgjentisht të shpronësohen tokat private dhe
të krijohen mundësitë që KEK-u të filloj shfrytëzimin e qymyrit në zonat ku është paraparë; OAK i kërkon Qeverisë të emëroj urgjentisht një bord profesional, bord i cili të shkarkojë menjëherë gjithë menaxhmentin e KEK-ut, si fajtorin kryesor që Kosova rrezikohet nga kolapsi energjetik. Sepse, ky menaxhment ka 10 vite që është në krye të KEK-u”, janë dy nga rekomandimet e OAK-ut.

Rekomandimet e tjera janë si në vijim:

OAK i kërkon Qeverisë së re ta ketë prioritet rritjen e prodhimit energjetik në Kosovë përmes futjes së kapitalit privat në gjeneratorët aktuale dhe në ndërtimin e gjeneratorëve të rinj;

OAK kërkon që të shqyrtohet oferta Gjermane për Kosovën A e cila ka qenë jashtëzakonisht e favorshme për vendin;

OAK i kërkon Zyrës së Rregullatorit të Energjisë t’a mbikëqyrë punën e operatorit privat, KEDS, i cili është përgjegjësi kryesor që Kosova të ketë energji elektrike;

OAK i kërkon ZRRE se në asnjë mënyrë mos të mendoj për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, sepse edhe ashtu sot Kosova ka çmimin me të lartë në Evropë;

OAK i kërkon ZRRE që të ulë çmimin e rrymës për biznese si një faktorë kyç që do të ndikojë në rritjen e ekonomisë së vendit;

OAK i kërkon ZRRE që të ndalë praktikat e deri tanishme të KEDS i cili në mënyrë jo ligjore po i obligon bizneset në investime në rrjet energjetik dhe të cilat po kushtëzohen që të mbesin pronë e KEDS;

OAK i kërkon ZRRE që të mbikëqyrë licencat e lëshuara për energji të ripërtërishme dhe të rritë edhe më shumë mundësinë që biznesi privat të investoj në këtë sektor.

OAK i bënë thirrje Prokurorisë që menjëhërë të filloj hetimet për përfoljet e shumta me keqpërdorimet në KEK.