Kosova dhe Shqipëria me ofertë të përbashkët turistike

4 javë më parë

Kosova dhe Shqipëria me ofertë të përbashkët turistike

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës dhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit e Shqipërisë janë dakorduar që të kenë një ofertë të përbashkët turistike mes dy vendeve.

Në një takim të mbajtur, të mërkurën, ministri i Industrisë dhe Tregtisë, Endrit Shala, ka thënë se kjo është një mundësi e mirë për të gjithë turistët që kanë dëshirë t’i vizitojnë Kosovën dhe Shqipërinë, shkruan sot Koha Ditore.

“Ne biseduam bashkë me ministrin Kolosi për thellimin e bashkëpunimit të fushës së turizmit, kompetencë kjo e cila është e dy ministrive tona. Po ashtu diskutuam edhe për mundësimin e krijimit të ofertave të përbashkëta për turistët ndërkombëtarë, të cilët janë të interesuar t’i vizitojnë Kosovën dhe Shqipërinë”, ka deklaruar Shala.

Gjithashtu, Shala ka thënë se gjatë këtij takimi janë dakorduar që operatorëve nga Kosova dhe atyre nga Shqipëria t’u ofrojnë edhe shtabe të përbashkëta.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë, Blendi Klosi, ka thënë se është krejt e pafalshme që institucionet e Kosovës dhe Shqipërisë të mos kenë një politikë të përbashkët.