Kosova anëtarësohet edhe në një Federatë Ndërkombëtare

2 vite më parë

Kosova anëtarësohet edhe në një Federatë Ndërkombëtare

Kosova është antarësuar në Federatën Ndërkombëtare të Këshillave të Arteve dhe Agjencive të Kulturës (IFACCA).

Lajmin e ka bërë të ditur Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës.

IFACCA  është rrjet global i këshillave të artit dhe ministrive të kulturës, me organizatat anëtare në mbi 70 vende.

Sipas ministrisë, rolin kryesor bartës në procesin e këtij anëtarësimi e ka pasur Task-Forca për anëtarësim të Kosovës në Institucionet/Mekanizmat Ndërkombëtare të Kulturës.

Ministria e Kulturës, anëtarësimin në IFACCA e vlerëson të rëndësishëm ngase sipas tyre mundëson qasjen në një rrjet ndërkombëtar është i dedikuar në përmirësimin dhe zhvillimin e politikave kulturore, krijimin e fondeve të artit, zhvillimin e audiencës dhe qasjes publike në arte, transmeton Aktivpress.

“Anëtarësimi në fjalë do të shërbejë në krijimin dhe zhvillimin e politikave më të mira në fushën e artit e të kulturës në Kosovë dhe në promovimin e aktiviteteve kulturore përbrenda vendit dhe në skenën ndërkombëtare. Anëtarësimi do të mundësojë edhe shkëmbimin e përvojave dhe rritjen e bashkëpunimit me shtetet tjera anëtare”, thuhet në njoftim të ministrisë.

IFACCA është themeluar në vitin 2000 dhe ka selinë në Sidnej të Australisë. Misioni i kësaj federate ka të bëjë me krijimin e bashkëpunimit efikas dhe afatgjatë në sektorin e artit e të kulturës mes shteteve anëtare me qëllim të ndarjes së njohurive dhe përvojave për të zhvilluar dhe forcuar këtë fushë duke forcuar partneritetin dhe nxitur dialogun. Ndër aktivitetet e shumta që organizon kjo federatë, mban edhe Samite të ashtuquajtura “të shkallës së vogël” ashtu sikurse samiti i fundit botëror i organizuar në Valletta të Maltës (18-21 tetor 2016)./Aktivpress