“Korça sipas një kosovari”, udhërrëfyes për kryeqytetin e kulturës shqiptare

5 muaj më parë

“Korça sipas një kosovari”, udhërrëfyes për kryeqytetin e kulturës shqiptare

Nga Bardh Frangu

Libri i Agron Shalës për Korçën është një udhërrëfyes i shkëlqyeshëm për këtë qytet që personifikon bukurinë dhe krenarinë shqiptare, përkatësisht djepin e trashëgimisë sonë kulturore. Libri është konceptuar si reportazh, por ngërthen në vete udhëpërshkrimin, kronikën dhe dokumentaren, të cilat ndikojnë që në tërësinë e vet libri të jetë një panoramë e bukur dhe shumë domethënëse për këtë qytet, duke përfshirë edhe rrethinën e tij, e cila është karakteristike për faktin se i jep dhe i merr qytetit.

Libri i Shalës për Korçën është ndërtuar nëpërmjet një rrë-fimi dinamik me elemente dramatike dhe një gjuhe të pasur që e bën shumë të pëlqyeshëm leximin e tij edhe në kuptimin estetik, edhe në kuptimin njohës. Në kuptimin njohës, lexuesi do të habitet me këtë galeri kaq të pasur personazhesh nga e kaluara dhe nga e sotmja, për të cilat autori shprehet se ka pasur fatin të shoqërohet me ikona lëvizëse të këtij qyteti.

Libri fillon me gojëdhënat, të cilat pastaj mbështeten në hulumtimet e shumë autorëve (tanët dhe të huaj), për të vazhduar me trashëgiminë materiale, e cila ruhet brenda dhe në rrethinë të Korçës. Duke iu referuar të kaluarës së këtij qyteti simbol të dijes dhe kulturës sonë, autori heton të gjitha pasojat e prerjeve të vrazhda kulturore që ka përjetuar Korça, përkatësisht kombi ynë.

Sigurisht që një dimension i rëndësishëm që reflekton edhe sot mbi qenien tonë është raporti ndërmjet neve (Veriut) dhe atyre (Jugut), i cili shpërfaq keqkuptimet tona si pasojë e po këtyre prerjeve kulturore. Po autori, i vëmendshëm për këto, sjell mjaft referenca për vlerat tona të përbashkëta, të cilat hapin shtigje të bollshme për tejkalimin e tyre.

Libri i Shalës jo vetëm që përbën një udhërrëfyes për ata që duan ta njohin këtë qytet, por edhe për korçarët është një material kaq i nevojshëm për ta njohur pasurinë shpirtërore të këtij qyteti ku, siç do të shprehet Jonela, dita-ditës të bukurës po i zë vendin e shëmtuara.

Vërtet zor është të gjesh një libër të tillë, të tipit reportazh, të mbushur me kaq shumë të dhëna dhe të shkruar me kaq mjeshtri dhe pasion. /Telegrafi