Kontrata për ndërtimin e platosë mbi ‘Kurriz’ nuk ka përfunduar ende

2 javë më parë

Kontrata për ndërtimin e platosë mbi ‘Kurriz’ nuk ka përfunduar ende

Nisi në vitin 2015, por akoma nuk ka përfunduar së ndërtuari platoja mbi Kurriz në lagjen “Dardania” të Prishtinës

Jeta mbi plato po zhvillohet normalisht, por nuk kanë përfunduar punët e parapara në projekt. Fontanat e parapara në projekt nuk janë ndërtuar, ndërsa shumë pllaka të xhamit kanë krisur në muajit e parë që janë vendosur, shkruan lajmi.net.

Zyra Kombëtare e Auditorit – ZKA ka konstatuar se ai projekt nuk është përmbyllur akoma.

“Projekti i ndërtimit të Bulevardit mbi kurriz, me vlerë 977,725 euro, për të cilin është nënshkruar kontrata me 12.06.2015 është paraparë të përfundojë pas 180 ditësh, por kontrata nuk është përfunduar ende. Komuna nuk ka aplikuar penale. Në fund të vitit 2018 menaxheri i prokurimit bazuar në raportin e komisionit të vlerësimit të punimeve ka propozuar që kjo kontratë të mbyllet, por kjo nuk është bërë. Shkak i vonesave ishte menaxhimi joadekuat i kontratës, derisa për përfundimin e kontratës po pritet aprovimi i kryetarit”, thuhet në raportin e Auditorit për Komunën e Prishtinës për vitin fiskal 2018.

Raporti është publikuar në qershor të këtij viti, ndërsa nuk ka ndonjë ndryshim mbi plato.

Në raportin e auditorit janë evidentuar edhe vonesa të tjera të projekteve në Komunën e Prishtinës.