Kontrata me Dardafon ishte prezantuar si urgjente

1 muaj më parë

Kontrata me Dardafon ishte prezantuar si urgjente

Para komisionit hetimor parlamentar i cili po i heton keqpërdorimet në PTK, ish-kryeshefi i Bordit të PTK-së, Rexhë Gjonbalaj, ka thënë paraprakisht se ai është në një proces gjyqësor pikërisht për këtë çështje.

“Më vjen mirë që mua më jepet mundësi të deklarohem rreth kësaj çështje. Por, nuk e di nëse bëj ndonjë shkelje në raportim derisa jam në proces gjyqësor. Unë kam disponim për t’u deklaruar, vetëm nuk dua të dëmtohem juridikisht. Dua të më siguroni se nuk do të kem pasoja”, ka thënë ai.

Deputeti Zemaj, në cilësinë e juristit ka thënë se përderisa gjykimi është publik, nuk ka ndonjë problem dëshmia para komisionit.

Pas kësaj, Gjonbalaj, ka filluar të dëshmojë. Ka thënë se kryesues i bordit ka qenë nga qershori 2008 me mandat 3 vjeçar, por është zgjedhur edhe për një mandat tjetër 3 vjeçar, raporton Koha Ditore.

“Kam ushtruar dy mandate pasi ligji e lejon deri në tri mandate. Puna e bordit bazohet ne ligjin për ndërmarrje publike. Nga ky ligj buron statuti i ndërmarrjes publike. Bordi është organ kolektiv vendimmarrës, por jo organ ekzekutiv. Puna mes këtyre dyjave është e ndarë dhe nuk përzihet bordi në menaxhment. Kam dëgjuar këtu deklarime nga më te ndryshmet, por unë jam i barabartë me të gjithë anëtarët e tjerë. Pra, e kam të drejtën vetëm për një votë”, ka thënë Gjonbalaj, duke u përgjigjur në pyetjet e deputetëve nëse ka pasur kompetenca të përziera mes bordit dhe menaxhmentit.

Ai ka thënë se kur e ka marrë detyrën, kontrata me Dardafon i është prezantuar nga bordi se është kontratë urgjente.

“Më kanë thënë se është e domosdoshme. Në parim i terë bordi ka qenë pro kësaj marrëveshje, pasi qe interpretimi ligjor ka qenë në rregull. Pjesa e vendimmarrjes ka qenë pa ndonjë dilemë. Unë kam qenë i bindur se ai projekt ka qenë i mirë për Telekomin”, ka thënë ai.

Deputeti Ymeri ka pyetur se si e kanë vlerësuar se kjo kontratë ka qenë me interes, kurse Gjonbalaj, ka thënë se ky projekt ka qenë amerikan dhe se për këtë kontratë interpretimi i ekspertëve ka qenë se “Telekomi ka kapacitete te lira dhe ka zero investim”.

“Kam kërkuar qe pas tri vjetësh të shqyrtohet kjo kontratë, kurse ekspertet kane vlerësuar se nuk do te duhej investitorët të frikësohen”, ka thënë Gjonbalaj.