Kontrata “e vdekur” kolektive

2 muaj më parë

Kontrata “e vdekur” kolektive

Për një vit e gjysmë qëkur Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive i ka skaduar afati, institucionet e vendit nuk kanë qenë në gjendje ta nënshkruajnë një marrëveshje të re.

Ndonëse kanë premtuar se do ta nënshkruajnë draftin e ri të hartuar, një gjë e tillë nuk ka ndodhur, edhe pse Marrëveshja e kaluar ka skaduar në janar të vitit 2018, shkruan sot Koha Ditore.

Arsyeja që iu kanë dhënë përfaqësuesve të punëtorëve, për mosnënshkrim të marrëveshjes së re, është mungesa e buxhetit.

As Qeveria e as Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, që nga e marta e javës së kaluar nuk kanë kthyer përgjigje lidhur me arsyet e mosnënshkrimit të marrëveshjes së re. Ndërkohë që përfaqësuesit e punëtorëve kanë thënë nuk presin që nënshkrimi të bëhet deri në formimin e Qeverisë së re.

Kontrata e përgjithshme kolektive e kaluar ka përcaktuar themelimin e marrëdhënies së punës, të drejtat, obligimet dhe përgjegjësitë e punëdhënësit dhe të punëmarrësit, orarin e punës, punën e natës, pushimin vjetor, atë të lehonisë, sigurinë në punë, mbrojtjen e shëndetit të të punësuarit dhe mbrojtjen e ambientit të punës.

Për rëndësinë e nënshkrimit të Kontratës së re kolektive ka folur kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Kosovës, Avni Ajdini. Ai ka thënë se mungesa e Kontratës kolektive po u shkakton probleme punëtorëve në kontekste gjyqësore.