Kontrabanda në veri, para vrasjes së Ivanoviqit

3 muaj më parë

Kontrabanda në veri, para vrasjes së Ivanoviqit

Pushteti në Beograd shprehet të jetë më shumë i interesuar për të kontrabanduar mallra nga Serbia në veri të Mitrovicës sesa për gjetjen e autorëve të vrasjes së politikanit serb në veri të Mitrovicës, Oliver Ivanoviq, i cili është vrarë më 16 janar 2018, para zyrave të partisë së tij – SDP në veri të Mitrovicës.

Vetë Marko Gjuriq, drejtor i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, ka thënë të dielën në Beograd se Serbia ka gjetur forma për ta furnizuar veriun e Kosovës me mallra nga Serbia.

“Është me rëndësi që qytetarët tanë në krahinë kanë treguar nivel të lartë që me mjete paqësore të luftojnë për të drejtat ekzistenciale të tyre. Pa këtë edhe mundi ynë do të shkonte huq. Prishtina para një muaji është përpjekur me restrikcione ta thyejë vullnetin dhe t’i shuajë përpjekjet e serbëve të Kosovës për të jetuar. Jam i bindur se nuk do të mundë t’i thyejnë serbët, sepse ata e kanë mbështetjen e shtetit të Serbisë, por edhe të të gjithë popullit serb”, ka thënë Gjuriq, transmeton radioja “Kontakt Plus”, përcjell gazeta “Zëri”.

I pyetur se si po arrin Beogradi ta furnizojë veriun e Kosovës pavarësisht bllokadës tregtare, Gjuriq nuk ka treguar se si po futen mallrat nga Serbia në veri të Kosovës, por ka sqaruar se me rëndësi është që serbët e veriut të kenë bukë, qumësht, mish, miell dhe vaj. “Do të gjejmë mënyra që ta mbrojmë popullin tonë atje, nëse është e nevojshme, për Beogradin siguria e serbëve në Kosovë është interes mbi të gjitha interesat”, ka thënë Gjuriq të dielën.