Konjufca: Unë s’kam qenë në SHIK, Aida Dërguti po

5 muaj më parë

Konjufca: Unë s’kam qenë në SHIK, Aida Dërguti po

“Nuk kam të drejtë me gënjej”, ka thënë shefi i deputetëve të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca në Interaktiv të KTV-së kur është pyetur se pse nuk po e pranon se ka qenë në SHIK, siç po pretendon Dardan Molliqaj.

“Jo”, ka qenë e prerë përgjigja e tij kur është pyetur se a ka qenë në SHIK.

Ai ka thënë se nuk është befasuar nga deklarimet që Dardan Molliqaj në Kuvendin e Kosovës, ku tha se Konjufca ka qenë i rekrutuar nga Fadil Lepaja dhe është paguar 150 marka për të futur në databazë të dhënat për hyrjen në Preshevë.

“Nuku befasova nga deklarimet e Dardanit sepse ai ka qenë i detyruar ta bënte një gjë të tillë. Krejt këtë e ka konstruktuar si një përleshje që ai e lëshon një akuzë dhe unë nuk do të merrem me të. E kam pritur dy muaj që të shpalosë ndonjë fakt. Kur u shtua presioni edhe media ndaj tij ai doli dhe tha atë që e tha. Nisi me përfshi edhe njerëz të gjallë, të cilët dolën dhe e mohuan. Dardani u bë gaz i botës dhe këtu përfundon gjithçka. Unë e kam paditur në Gjykatë dhe pres gjykimin”, ka thënë ai.

Ka thënë se Fadil Lepajën e njeh, se e ka takuar për të fundit herë diku para 11 vjetësh, por se kjo sipas tij nuk do të thotë asgjë në pretendimet e Dardan Molliqajt.

Pretendimet e Molliqajt i ka cilësuar film fantastiko-shkencor.

“Mezi po pres që të vijë rasti në Gjykatë, nëse këto nuk mund t’i mbrojë në Gjykatë do ta paguajë gjobën”, ka thënë Molliqaj.

Ai ka thënë se kjo “është e kuptueshme, që vjen pasi Dardani ka dal prej Lëvizjes”.

“E kur ishte aty unë isha më i mençuri, e ka qenë në gjendje të më pranojë si kryetar të partisë. Kur ia kam demaskuar projektin e tij në televizionin tuaj, unë brenda natës u bëra SHIK”, ka thënë ai, përcjell Koha.net. “Mendoj se kjo bëhet në momentin kur PSD-ja është bërë e afërt me pushtetin, e ai dëshiron që të më afroj mua me Kadri Veselin. Ata e votuan buxhetin e Kadri Veselit, ata bën marrëveshje të fshehur me Kadri Veselin për ta dëmtuar buxhetin e Vetëvendosjes për t’ia marrë paratë përmes ndryshimit të Ligjit”, ka shtuar më tej.

“E ftoj Veselin që t’i hapin krejt listat dhe të tregojë se kush ka qenë i punësuar. Unë kam bërë nënshkrimin për ta hetuar SHIK-un”.

Konjufca ka thënë se brenda figurave të larta të Vetëvendosjes së dikurshme, Aida Dërguti, që ka qenë nënkryetare e Vetëvendosjes, ka qenë në SHIK.

“Askush tjetër nuk e thotë se kam qenë unë, pos dy-tre deputetëve që janë miq të ngushtë të Dardan Molliqajt. Ne e dinim se vetëm një kolege jona ka pranuar që ka qenë në SHIK, Aida Durguti. Ne e kemi ditur se ajo ka thënë se ka qenë në SHIK, por kjo nuk ka paraqitur problem për ne, përderisa ajo ka qenë e vetëdijshme”, ka thënë Konjufca, teksa ka shtuar se beson se në SHIK ka pasur edhe njerëz që punonin për interes të vendit.

Konjufca më tej ka thënë se do të pranonte pa pikë problemi sikur të kishte qenë pjesë e SHIK-ut, ndërsa ka konfirmuar se së voni është takuar me Dërgutin.

Ai ka shtuar se ka raporte të mira me të dhe se në takim, Dërguti i ka shprehur keqardhjen për këtë ngjarje. Konjufca ka shtuar se s’ka pasur kurrë ofertë që të hyjë në SHIK.

“Kam raporte të mira me Dërgutin. Më së miri prej PSD-së i kam me të dhe Visar Ymerin. Jam takuar së fundmi. Kemi folur pak edhe për këtë temë. Në një mënyrë më ka shprehur keqardhjen që krejt kjo po ndodh. Keqardhjen që shpifjet e tilla si të Dardan Molliqajt po ndodhin në këtë kohë kur të gjithë e dimë ne qëllimin tonë dhe betejat tona të vërteta”, ka deklaruar Konjufca, ndërsa ka shtuar se s’mendon se dikush mund të ishte pjesë e SHIK-ut pa vetëdije.

Sipas Konjufcës, Molliqaj kishte premtuar se do të dalë me dokumente dhe ka përfunduar në llafe të kafeve.

Ka premtuar se do të jepte dorëheqje sikur të vërtetohej se ka qenë pjesë e SHIK-ut.