Komunat sanksionohen me mosrishikim buxhetor

4 muaj më parë

Komunat sanksionohen me mosrishikim buxhetor

Ekspertët e ekonomisë nuk janë të një mendimi me ministrin e Financave Bedri Hamza sa i përket çështjes së rishikimit buxhetor. Përderisa Hamza e ka parë të arsyeshme që këtë vit buxheti të mos rishikohet fare për shkak të planifikimit të mirë, krejtësisht ndryshe janë shprehur kundërshtarët e ministrit.

Naim Gashi, njohës i rrethanave ekonomike në vend, i ka thënë gazetës “Zëri” se rishikimi buxhetor është i domosdoshëm brenda një ekonomie nacionale dhe në praktikat elementare.

“Rishikimi i buxhetit përbën një element esencial për të nxitur zbatimin e projekteve kapitale dhe projekteve të tjera brenda një ekonomie nacionale dhe është i domosdoshëm në praktikat parlamentare”, ka deklaruar më tutje Gashi. Por, deklarata kundërthënëse me të kanë dhënë në Ministrinë që udhëheq ministri Bedri Hamza.

Në përgjigjen me shkrim të këtij institucioni thuhet se rishikimi buxhetor nuk është obligim ligjor, ndërsa është duke u zhvilluar në harmoni me prioritetet dhe me objektivat zhvillimore të institucionit.