Komunat i fshehin shpenzimet para taksapaguesve

4 muaj më parë

Komunat i fshehin shpenzimet para taksapaguesve

Kryetarët e komunave të Kosovës nuk po tregohen aspak transparentë me taksapaguesit. Ndonëse shpenzimet i realizojnë me paratë e qytetarëve ata nuk japin përgjegjësi kur bëhet fjalë për publikimin e shpenzimeve financiare. Vetëm 21 komuna nga 38 sa numërohen gjithsej në territorin e Kosovës i kanë publikuar raportet e shpenzimeve financiare në uebfaqet e tyre zyrtare, shkruan sot “Zeri”

Komuna e Ferizajt, e Gjakovës, e Fushë Kosovës, e Deçanit, e Drenasit, e Graçanicës, e Kamenicës, e Kllokotit, e Mitrovicës së Veriut, e Shtërpcës, e Vushtrrisë po tregohen të mbyllura karshi qytetarëve. Nuk gjendet asnjë raport i shpenzimeve financiare në uebfaqet e tyre për periudhën janar – dhjetor të vitit të kaluar.

Sikur këto komuna të lartpërmendura janë renditur edhe disa tjera më të vogla, si ajo e Leposaviqit, e Zubin-Potokut, e Zveçanit, e Mamushes, e Parteshit dhe e Ranillugut.

Këto të dhëna janë nxjerrë në një hulumtim të realizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) për “Indeksin e Transparencës në prokurimin publik 2017”.

Madje në këtë institucion konfirmojnë për gazetën “Zëri” se mospublikimi i raporteve të shpenzimeve komunale përbën shkelje të Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike, por edhe mungesë të llogaridhënies nga komunat ndaj qytetarëve.