Komuna e Prizrenit paralajmëron ndërtimin e xhamisë në Kala!

3 vite më parë

Komuna e Prizrenit paralajmëron ndërtimin e xhamisë në Kala!

Një sërë iniciativash në Prizren nga qytetarët dhe pushteti lokal për ndërtim e xhamisë në Kalanë e qytetit por pa ndonjë vendim përfundimtar deri tani.

Madje kjo temë ishte edhe pjesë e debatit parazgjedhor ndërmjet kandidatëve për kryetar komune.

Por sot vjen një deklaratë e njërit prej zyrtarëve të lartë të Komunës së Prizrenit, i cili paralajmëron hapa konkretë.

Visar Islamaj, drejtor i Urbanizimit në KK të Prizrenit, ka thënë se shpejt do të filloj hartimi dhe dokumentimi i projektit të Xhamisë.

“Sot vizitova Kalanë e Prizrenit. Nga afër shikova themelet e Xhamisë në Kalanë e qytetit, vendin për të cilin më shumë është bërë politikë nga individë që janë të veshur me përgjegjësi fetare dhe politike, por që nuk kanë bërë asgjë deri më sot përpos gjysmë deklarimeve publike e politike. DUPH së shpejti do të sjellë vendimin për hartimin dhe dokumentimin e projektit të Xhamisë. Xhamia po bëhet”, ka shkruar ai në rrjetin social, Facebook.

Kujtojmë që rreth 30 mijë qytetarë të Prizrenit përmes një peticioni kishin kërkuar ndërtimin e xhamisë në Kala ndërsa kjo kërkesë ishte aprovuar edhe nga Kuvendi Komunal i Prizrenit.