Komuna e Pejës e para aplikon E-prokurimin

5 vite më parë

Komuna e Pejës e para aplikon E-prokurimin

Ministri i Financave Avdullah Hoti, kryetari i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik Safet Hoxha, dhe kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri kanë promovuar sot në Komunën e Pejës sistemin e E-prokurimit për nivelin komunal, e cila komunë është e para që ka filluar ta aplikojë këtë sistem.

Ministri Avdullah Hoti bëri të ditur se nga janari i vitit 2017 ka filluar së zbatuari platforma elektronike për E-prokurim.

“Në kuadër të kësaj reforme e cila është në përputhje me objektivin kryesor të Ministrisë së Financave dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës që është rritja e transparencës dhe efikasitetit në shpenzimet publike, sot Komuna e Pejës ka filluar së zbatuari sistemin e E-prokurimit për nivelin komunal, kjo njëherit është edhe komuna e parë e cila fillon ta aplikoj këtë sistem”, ka thënë Hoti.

Sipas tij me prokurimin elektronik E-Prokurimi çdo organizatë buxhetore ka përparësi të pakrahasueshme, me qenë se siguron transparencë maksimale dhe objektivitet në përzgjedhjen e përfituesve të kontratave publike, siguron automatizim të procedurave dhe monitorim shumë më të mirë të kontratave, shkëputë kontaktet e drejtpërdrejta të zyrtarëve të prokurimit me operatorët ekonomik gjatë procesit të përzgjedhjes, mundëson që çdo aktivitet i zyrtarëve të prokurimit të jetë plotësisht i gjurmueshëm në sistem online dhe i qasshëm për të gjithë.

“Prokurimi elektronik gjithashtu mundëson auditim më të lehtë dhe kontroll më efikas të proceseve të prokurimit dhe e rrit përgjegjësinë e zyrtarëve të prokurimit, si dhe ofertat bëhen të lexueshme të gjitha njëkohësisht, sepse sistemi nuk lejon qasje selektive dhe asnjë lloj keq-përdorimi. Të gjitha këto rrisin konkurrencën dhe rrjedhimisht ulet kostoja për realizimin e investimeve publike”, shtoi Ministri Hoti.

Kryetari i KRPP-së Safet Hoxha theksoi se sistemi i prokurimit elektronik ofron përgatitje dhe administrim të sigurt, efikas dhe transparent të të gjitha dokumenteve që lidhen me procesin e tenderimit.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Pejës Gazmend Muhaxheri, theksoi se “Si çdo herë tjetër Komuna e Pejës është bartëse e ndryshimeve pozitive, prandaj sot së bashku me Ministrin Hoti dhe kryetarin e KRPP-së Hoxha monitoruam sistemin elektronik të prokurimit publik, të cilin Komuna e Pejës ka filluar ta aplikoj nga fillimi i vitit 2017”./Aktivpress