Komuna e Malishevës e kontraktojë një kompani për të shtruar asfalt me 1 euro për m2, por çfarë ndodhi me rrugën?

3 javë më parë

Komuna e Malishevës e kontraktojë një kompani për të shtruar asfalt me 1 euro për m2, por çfarë ndodhi me rrugën?

Një rrugë me gjatësi pak më shumë se tri kilometra dhe jo më e gjerë se gjashtë metra, e nisur në vitin 2017, nuk ka arritur të përfundohet për shumë se tri vjet nga fillimi i punimeve. Bëhet fjalë për rrugën Llapqevë – Ujëvarat e Mirushës, e tenderuar nga Komuna e Malishevës, shkruan Gazeta Infokus.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka konstatuar se kjo rrugë nuk ishte kryer deri në qershor të vitit 2021, kur është bërë auditimi, edhe pse kishin kaluar 42 muaj nga nënshkrimi i kontratës.

Përfundimi i punimeve në këtë rrugë ishte paraparë të zgjaste jo më shumë se 120 ditë pune. Koha e fundit kur ishin zhvilluar punime në këtë projekt ishte në maj të vitit 2018, e që nënkupton se 35 muajt e fundit nuk kishte pasur asnjë progres në këtë projekt.

Auditorët kanë vërejtur se pjesa më e madhe e punimeve ishin ekzekutuar brenda 45 ditëve vijuese, por se rruga nuk ishte ndërtuar plotësisht. Kishte mbetur edhe punimi i shtresës së asfaltit që sipas kontratës kishte kushtuar 1 euro për m2, që përbënte çmim jo-normalisht të ulët, për faktin se çmimi i tregut ishte rreth 8 euro për m2, shkruan Infokus.

“Duke qenë se OE-ja kishte ofertuar me këtë çmim, nuk i kishte leverdisë që të përfundojë këtë pozicion kështu që rruga nuk ishte ndërtuar as pas 42 muajve pas dhënies së kontratës”, thuhet në raportin e ZKA-së. Zyra e prokurimit në Komunës së Malishevës, gjatë fazës së vlerësimit të ofertave kishte shfaqur dyshim se operatori ekonomik nuk do të ishte në gjendje ta zbatonte kontratën me këtë çmim jonormalisht të ulët, andaj kishte kërkuar sqarime shtesë nga ky operator.

“Me të marrë sqarimin, sado që ishte jo bindës, zyra e prokurimit ia kishte dhënë kontratën e cila pati për pasojë gjendjen e përshkruar më sipër-mos realizim i punëve. Pas disa vërejtjeve që menaxheri i kontratës i kishte bërë në adresë të OE-së për mos respektim të kushteve të kontratës, KM ia kishte ndërprerë kontratën dhe i kishte paguar shumën për punët që i kishte kryer deri në atë datë, duke aplikuar edhe gjobë për vonesë”, thuhet në raport.

Mirëpo, edhe pas kësaj Komuna e Malishevës nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim dhe për pasojë rruga kishe mbetur pa përfunduar./Gazeta Infokus/