Kompanitë e sigurimeve me kapital të huaj paralajmërojnë ikjen nga Kosova

2 javë më parë

Kompanitë e sigurimeve me kapital të huaj paralajmërojnë ikjen nga Kosova

Lajmet jo të mira për Kosovën duket se nuk kanë të ndalur. Merret vesh se tashmë të gjitha kompanitë e sigurimeve të Kosovës me kapital të huaj, kanë paralajmëruar tërheqje nga tregu i Kosovës.

E për këtë ikje nga Kosova kanë ndikuar disa faktorë, duke përfshirë këtu edhe debatin e ndërhyrjet e fundit që po mundohen t’i bëjnë grupe të caktuara lidhur me çmimin për sigurimin e automjeteve.

Shkaku kryesor i tërheqjes nga Kosova është ndërhyrja e grupeve joformale në vendimet e autoritetit kushtetues siç është Banka Qendrore e Kosovës (BQK).

Po ashtu, këto kompani i kanë renditur si shkaqe tjera edhe numrin e madh të aksidenteve në rrugët e Kosovës, prej tyre shumë me fatalitet dhe lëndime të rënda.

Mandej është numri i madh i dëmeve materiale, si dhe numri enorm i automjeteve të paregjistruara, të cilat në raste të aksidenteve barrën e dëmit e bartin kompanitë e sigurimeve.

Përmendet se mes faktorëve tjerë për tërheqje është abuzimi dhe përfitimet e jashtëligjshme të personave të pandërgjegjshëm, përfshirë këtu mjekë, avokatë e gjykatës, të cilët me vendimet e tyre janë duke i zhvatur kompanitë e sigurimeve.

E ndër më kryesorët janë edhe ligjet diskriminuese ndaj kompanive, shkruan FaktePlus.

Kompanitë e sigurimeve kanë drejtuar kritika të ashpra në drejtim të BQK-së, e cila duke mos aprovuar raportet profesionale, ka dëmtuar edhe me rënd stabilitetin financiar të kompanive dhe të policëmbajtësve.

Kujtojmë se gjatë ditës së sotme Shoqata e Sigurimeve të Kosovës përmes një komunikate për media ka theksuar se që 18 vite janë duke punuar me humbje, kurse vetëm për 6 vite kanë pësuar 23,5 milionë euro humbje.

Shoqata më tutje shton se referuar të dhënave zyrtare Kosova ka numrin më të madh të automjeteve të pasiguruara se të gjitha shtetet e rajonit.

“Bazuar në të dhëna zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), shihet shumë qartë se nga vitit 2002, e deri në fund të muajit shtator të këtij viti, shuma e dëmeve të kompensuara kalon shifrën mbi 400 milionë euro, shifër kjo më e lartë krahasuar me vendet e rajonit. Por, gjatë gjithë këtyre viteve në total të gjitha kompanitë e sigurimit që operojnë në vendin tonë kanë arritur të humbin më shumë se 23,5 milionë euro, pra nëse e nxjerrim një mesatare nga viti 2002 e deri më tash të gjitha kompanitë e sigurimit që operojnë në vendin tonë gjatë çdo viti kanë humbur rreth 1,3 milion euro”, thuhet mes tjerash në komunikatën e Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës.